Vuçiq merr vesh emrin e të dërguarit special të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është njoftuar nga Josep Borrell për emrin e të dërguarit special të BE-së për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka biseduar të enjten nëpërmjet telefonit me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur “Blic”, transmeton lajmi.net.

Një prej temave të diskutimit ka qenë emri i të dërguarit special të BE-së për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Borrell ka njoftuar Vuçiqin se kush është në fjalë, por ajo informatë ende ruhet në fshehtësi”, thonë burime të “Blic”.

Presidenti i Serbisë dhe Borrell kanë biseduar edhe për të ardhmen e dialogut. Vuçiq thuhet se ka përsëritur se heqja e taksës është kushti kryesor për dialog dhe se pa realizimin e saj nuk do të ketë rikthim në tavolinën e diskutimit.