Vuçiq për vrasjen e Ivanoviqit: S’do të heqim dorë nga kërkesa që kriminelët të dalin para drejtësisë

Sot janë bërë pesë vjet nga vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Në këtë përvjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se vendi që ai drejton nuk do të heqë dorë nga kërkesa që dorasit e këtij akti të dalin para drejtësisë.

“Prej pesë vitesh nuk ka pasur as të vërtetë dhe as drejtësi në rastin e këtij akti të urryer dhe çnjerëzor. Serbia nuk ka harruar dhe nuk do të heqë dorë nga kërkesa që kriminelët e vërtetë të dalin para drejtësisë. U prefsh ne paqe”, tha ai.

Për përfshirjen në rastin e vrasjes së liderit të iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” para zyrave të partisë së tij , janë të akuzuar 7 persona, 3 nga ta ende në arrati.