Vuçiq thotë se qeveria e Serbisë sonte i kërkon KFOR-it kthimin e trupave serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sonte se qeveria ka marrë vendim që KFOR-it t’ia dërgojë kërkesën për vendosjen e disa trupave të ushtrisë dhe policisë serbe në veri të Kosovës.

Ai këtë e bëri të ditur pas mbledhjes së qeverisë serbe, duke e ripërsëritur se kërkesa e Serbisë është në përputhje me Rezolutën 1244.

“Në mbledhjen e qeverisë është marrë vendim që sonte në formë elektronike dhe nesër në mëngjes në postbllokun administrativ, shefi i Shtabit të Përgjithshëm t’ia dorëzojë kërkesën tonë komandantit të KFOR-it, që në përputhje me Rezolutën 1244, një numër i caktuar i personelit ushtarak dhe policor të kthehen në territorin e Kosovës”, tha Vuçiq, shkruan Tanjug, transmeton Klankosova.tv.