Vuçiqi dëshiron “paqe të qëndrueshme me shqiptarët”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se arritja e marrëveshjes me, siç ka thënë ai, shqiptarët, do të ishte një arritje e rëndësishme për të ardhmen e qytetarëve.

Në një deklaratë për televizionin publik serb (RTS), Vuçiqi tha se nuk do ta konsideronte humbje personale nëse gjatë mandatit të tij nuk do të zgjidhej çështja e Kosovës, por tha se “do të doja që të kemi paqe të qëndrueshme me shqiptarët”, transmeton Koha.net.

“Kjo do të ishte një arritje e rëndësishme për të ardhmen e Serbisë dhe do të ishte mirë për qytetarët tanë, por a është kjo reale apo jo, është çështje tjetër”, deklaroi Vuçiqi.

I pyetur në lidhje me deklaratën e ish-shefit të CIA-s, Steven Meyer, se oferta e Amerikës për rishikim të kufijve nuk do të qëndrojë edhe gjatë në tavolinë, Vuçiqi tha se nuk ka kurrfarë oferte.

Ai tha se amerikanët gjithmonë kanë qenë të përfshirë në bisedime dhe se pa ta, pa rusët dhe pa fuqitë tjerë të mëdha do të ishte e vështirë të arrihej ndonjë marrëveshje.

“Nëse do të dilnim si një bllok – serbët, shqiptarë, boshnjakë, maqedonas, malazezë – do të arrinim rezultate pakrahasueshëm më të mira dhe si treg i përbashkët do të kishim suksese më të mëdha ekonomike dhe do të ishim shumë më të fortë në Evropë dhe para bashkësisë ndërkombëtare botërore”, deklaroi Vuçiqi.

Sipas tij, “Kosova është territor i rëndësishëm”, por shumë më e rëndësishme është pjesa në të cilën jetojnë serbët për të cilët duhet “të kujdesemi e të bëjmë gjithçka për sigurinë dhe të ardhmen e tyre”.

Duke folur për atë se si mallrat e Serbisë po hyjnë në Kosovë, Vuçiqi tha se është kryer punë për të paku disa muaj dhe se është siguruar një sasi e mirë e mallrave, por nuk pranoi të tregojë se si është realizuar kjo.

“Jemi gjendur, dhe shumë prej këtyre punëve i kemi kryer në 3-4 ditët e fundit”, deklaroi presidenti serb.