VV-ja e quan pafytyrësi të Thaçit deklarimin e fundit për Asociacionin

Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur pafytyrësi të presidentit Hashim Thaçin vlerësimin që ia bëri ai si të rrezikshme e të dëmshme idesë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të diskutohet me Serbinë në Bruksel të enjten.

Sot gjatë ditës, presidenca kërkoi nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht të votojë një rezolutë që ia ndalon kryeministrit Avdullah Hoti negocimin e çështjeve të brendshme të Kosovës dhe temave që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror. Përmes një komunikate për media, Thaçi hapjen e temës së Asociacionit e ka konsideruar gabim të madh e shumë të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës.

Në një reagim për këtë çështje, Vetëvendosje ka kujtuar se një rezolutë e tillë është votuar qysh në muajin mars.

Kjo parti ka kërkuar nga Thaçi që para se të paraqesë Asociacionin si rrezik të japë përgjegjësi për marrëveshjet e mëhershme.

“Nëse ‘Zajednica paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë Presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e prillit 2013, që është themeli i ‘Zajednicës’ që e nënshkroi si Kryeministër; të marrë përgjegjësi për ‘Zajednicën’ e gushtit 2015 të nënshkruar nga Kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën ndërkohë që më vonë doli se ajo e shkelë atë në së paku 23 nene të saj; dhe, të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit”, ka thënë VV-ja në reagimin e saj.

Vetëvendosje e ka cilësuar këtë si shtirje të Thaçit “vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike”. Kjo parti ka thënë se edhe kundërshtia mes presidentit dhe kryeministrit është e rreme.

Postimi i plotë:

Pafytyrësia e Presidentit

Sot, zyra e Presidentit ka lëshuar një komunikatë për media ku e ka cilësuar si të rrezikshme dhe të dëmshme idenë e diskutimit për ”Zajednicën” nga Avdullah Hoti në Bruksel. Në këtë komunikatë kërkohet që Kuvendi ta ndalojë kryeministrin që të negociojë për çështje të brendshme, përmes një rezolute, ani pse një rezolutë e tillë është votuar nga Kuvendi në mars të këtij viti.

Nëse ”Zajednica” paraqet rrezik për Republikën e Kosovës, gjë që është krejt e vërtetë, atëherë presidenti Thaçi duhet të bëjë së paku tre gjëra: të distancohet dhe marrë përgjegjësi për marrëveshjen e prillit 2013, që është themeli i ”Zajednicës” që e nënshkroi si kryeministër; të marrë përgjegjësi për ”Zajednicën” e gushtit 2015 të nënshkruar nga kryeministër Isa Mustafa i shoqëruar nga vet Hashim Thaçi si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe garantonte se ajo ishte në përputhje me Kushtetutën ndërkohë që më vonë doli se ajo e shkelë atë në së paku 23 nene të saj; dhe, të japë përgjegjësi për nënshkrimin e tij në letrën ku FSK-së i ndalohet kalimi në veri të vendit.

Ky reagim i presidentit sot, nuk është asgjë tjetër pos pafytyrësi që përpiqet të simulojë opozitarizmin. Pra, ai po shtiret, po e luan rolin, vetëm sa për të mbetur edhe pak në skenën politike, dhe për ta faktorizuar veten ndërkombëtarisht. A i ka numëruar Thaçi sa rezoluta të tilla ka pasur, e sa janë shkelur nga vetë personi që është president? Ai vetë, në cilësinë e kryeministrit bashkë me Daçiqin hodhën themelet e ”Zajednicës”, që më pas e ndalëm me protesta mbarëqytetare.

Kjo kundërshti mes Thaçit e Hotit është kundërshti e rreme e dy anëve të së njëjtës medalje. Është kundërshti e ndarjes direkte të Kosovës me atë të bosnjëzimit për t’u ndarë më vonë. Dallimi i tyre është vetëm kohor. Ata që thonë se ”Zajednica” është obligim në fakt janë duke negociuar ndarjen. Ndërsa kinse-kundërshtarët e tyre, opozita e simuluar, të cilët ka kohë që kërkojnë ndarje, sot thërrasin kundër “Zajednicës” që e krijuan vetë. Njëjtë si hajni kur thërret “kapeni hajnin”.

”Zajednica” cenon rëndë rendin kushtetues dhe unitaritetin e shtetit. Ajo është e dëmshme dhe rrjedhimisht e papranueshme, dhe nuk mund të zbatohet në Republikën e Kosovës e aq më pak të sillet nga një qeverisje e paligjshme. Por Thaçi është baba i “Zajednicës”, e jo kundërshtar i saj. Si themelues i kahmotshëm, atij vetëm i ka mbetur merak pse nuk është ai implementuesi, por kryeministri i tij kukull.

Qytetarët e Republikës së Kosovës, opinioni mbarëshqiptar, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe studiues të fushave të ndryshme kanë qenë në mënyrë konsekuente kundër marrëveshjeve që kanë rrudhur territorin dhe cenuar sovranitetin e vendit. Ne kemi kundërshtuar ”Zajednicën” Thaçi-Daçiq 2013 dhe atë Mustafa-Thaçi – Vuçiq- Daçiq 2015 sepse janë kundër rendit kushtetues dhe Republikës. Gatishmëria e kryeministrit të paligjshëm për ta ringjallur projektin famëkeq të Serbisë do të kundërshtohet siç janë kundërshtuar përpjekjet e padronëve të tij e që janë pikërisht këta nënshkrues.