VV-ja me Osmanin, LDK-ja me AKR-në, Nisma shpreson në koalicion me PDK-në

Disa prej parive politike pritet që garës për zgjedhje e jashtëzakonshme parlamentare të mos i hyjnë të vetme.

Edhe pse deri në këto moment nuk është konkretizuar asnjë koalicion parazgjedhor. AKR-ja ka vendosur që të jetë pjesë e listës zgjedhore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëse nuk arrihet marrëveshje për koalicion.

Kështu ka thënë për lajmi.net, Vesel Makolli, sekretar i Aleancës Kosova e Re.

Ai ka thënë se nëse nuk arrihet koalicion, do t’i kenë 10 vende në listën zgjedhore të LDK-së.

“Ne me Lidhjen Demokratike shkojmë, por a do të shkojmë si koalicion apo do të hyjmë me numra të caktuar, nuk dimë ende. Janë dy variante, normalisht ne insistojmë që të shkojmë në koalicion, por ende nuk dihet. Nëse nuk behet koalicioni, ne do t’i kemi minimumi 10 vende në listë”, ka thënë ai.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë edhe me LDK-në por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Derisa AKR-ja është në pritje të konfirmimit të koalicionit me LDK-në. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ende nuk ka vendosur nëse do të bëjë ndonjë koalicion apo do t’i hyjë e vetme garës zgjedhore.

Zëdhënësi i AAK-së Kushtrim Xhemaili ka thënë për lajmi.net se për çdo zhvillim do të njoftohen mediat.

“Për çdo zhvillim ju njoftojmë”, tha shkurt Xhemaili.

Ndërkohë, Vjosa Osmani e cila do t’i hyjë garës zgjedhore me sloganin “GUXO”, ditë më parë ka deklaruar se do të jetë pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ende nuk dihet nëse VV-ja ka ndryshuar mendim sa i përket se më kë do të shkojë në zgjedhje, përkundër deklarimeve se garës do t’i hyjnë të vetëm. Lajmi.net nuk ka arritur sot të marrë një përgjigje nga VV-ja rreth kësaj çështje.

Ndërsa, derisa Nisma Socialdemokrate është e gatshme për një koalicion me partinë Demokratike të Kosovës, këta të fundit, deri më tani nuk kanë shprehur gatishmëri për një koalicion me partinë e Fatmir Limajt.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj mbrëmë ka thënë se partia e tij është e gatshëm për partneritete dhe si e tillë do të vazhdoj të jetë në skenën politike.

“Nisma Socialdemokrate dhe unë si drejtues i saj jemi të gatshëm për partneritete dhe si e tillë do të vazhdoj të jetë në skenën politike, por ne nuk jemi subjekt që fshihemi apo punojmë për interesin e një individi. Konsideroj që në këtë situatë në të cilën jemi, ajo që i ndihmon më së shumti Kosovës është jetësimi i një projekti të madh për mbrojtjen e vlerave kombëtare, sepse nuk ka asnjë logjikë të sakrifikohet një vizion i madh për interesin e një individi”, ka thënë Limaj.

Deri sot në orën 18:00 është afati i fundit kur partitë politike mund t’i zyrtarizojnë koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë.

Deri tash asnjëra nga partitë nuk ka zyrtarizuar koalicion, ndonëse ka pasur deklarata nga partitë për koalicione të mundshme.