VV po pret që Isa Mustafa ta thërret Këshillin e Përgjithshëm që do të vendos për ofertën e Albin Kurtit

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të qartë se nuk negocion me LDK-në për pozitën e kryeparlamentarit, post ky ku është emëruar Glauk Konjufca në seancën konstituive të 26 dhjetorit. Megjithatë, ata po presin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që të vendosin në rast se pranojnë apo jo dy ofertat të cilat Albin Kurti i ka propozuar Isa Mustafës.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se në takimin e fundit që ndodhi të enjtën që lamë pas, nga LDK kanë deklaruar se do t’i mbledhin organet e partisë për të shqyrtuar ofertën e LV-së.

“Nga takimi i herës së fundit mbeti që LDK të mbledhë organet e saj për të shqyrtuar ofertën e Lëvizjes, tash jemi në pritje kur të mblidhen ata. Sepse siç e ka deklaruar dje Kryetari Kurti ne jemi të gatshëm të mblidhemi e te mbyllemi deri në arritje të marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e LV-së, për Express.

Mirëpo, ndryshe po deklarohen në LDK. Sot gjatë ditës, në një prononcim për media, Avdullah Hoti ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dhënë ofertën e vet, e mbetet nga LV-ja të vendos a do të pranojë të njejtën.

“Është në dorën e partisë që ka dalë e para në zgjedhje të gjejë mënyrën për themelimin e institucioneve të reja. Në takimin e fundit ne kemi dhënë ofertën tonë për bashkëqeverisje. Dhe tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje. Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”, ka deklaruar Hoti.

Në anën tjetër, ndërkombëtarët po i vazhdojnë thirrjet për krijim sa më të shpejtë të qeverisë.

Momentalisht, në selinë qendrore të LDK-së, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett është duke mbajtur takim me Isa Mustafën, Vjosa Osmanin e Agim Veliun./GazetaExpress/