Weber: E padrejtë të quhet vetëm Kosova shtet i papërfunduar – e njëjta vlen edhe për Serbinë

Walter Kaufmann, shef i seksionit për Evropën Juglindore në fondacionin Heinrich Böll, në fjalën përshëndetëse iu referua fillimisht emërtimit të panelit në Berlin, që mbante titullin “Serbia dhe Kosova – dy shtete të papërfunduara 20 vjet pas luftës”.

“E di që shprehja shtete të papërfunduara është disi provokative, por kemi dashur të bëjmë lidhjen mes bllokimit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dhe strukturave shtetërore në këto vende”, u shpreh Kaufmann.

Bodo Weber nga ‘think tank’ “Democratisation Policy Center” në Berlin, bashkëorganizator i tribunës, mendon se termi “shtete të papërfunduara” padrejtësisht lidhet vetëm me Kosovën.

“Kosova me të vërtetë nuk e ka kontrollin mbi të gjithë territorin, por nëse shikojmë edhe Serbinë, në mënyrën si ajo përkufizohet, atëherë as ajo nuk e ka kontrollin e plotë mbi të gjithë territorin e saj”, tha Bodo Weber.

Në panelin, ku morën pjesë Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sabine Stohr nga Ministria e Jashtme gjermane përgjegjëse për Evropën Juglindore, dhe botuesi e shkrimtari Veton Surroi nga Kosova, kryesisht u diskutua për të metat e shteteve të Serbisë dhe Kosovës në kuptimin e paaftësisë së elitave politike, të cilat menaxhojnë lidhjet e ndërsjella mes dy vendeve.

Në fillim të panelit u shfaq një video e shkurtër mbi projektin e Deutsche Welles #generation99, në të cilin të rinj nga Serbia dhe Kosova, të lindur në vitin 1999, flasin për pajtimin dhe përvojat e tyre në lidhje me luftën në Kosovë. “Deutsche Welle ka marrë përsipër atë që në fakt është detyrë e politikanëve: krijimin e atmosferës së pajtimit mes të rinjve”, tha Surroi.

Nuk ka zgjidhje brenda natës

Në pjesën më të madhe të panelit pjesëmarrësit u fokusuan në shpjegimin e fenomenit të idesë së shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës, që është hedhur disa vite pas bisedimeve për të ardhmen e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.

“Ne kemi qenë të shokuar, kur pas vite bisedimesh dhe lëvizjes në një drejtim të caktuar, dëgjuam papritur për këtë ide”, u shpreh Stohr. Megjithëse ky projekt, siç tha ajo, duket se u hodh poshtë përfundimisht në samitin e Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Berlin në fund të prillit, zgjidhja për të ardhmen e marrëdhënieve nuk duket në horizont.

Megjithatë Stohr shpreson se në vazhdimin e samitit të Berlinit në Paris në fillim të korrikut do të jetë zgjidhur më në fund çështja e taksës doganore të Kosovës, gjë që do të mund t’i nxjerrë bisedimet nga pika e ngrirjes. Por edhe ajo paralajmëron se nuk ka çelës të artë, që do të bënte mrekulli brenda natës.

“Një gjë e tillë nuk ekziston, Fjala është për hapa të vegjël, që në fund mund të çojnë te synimi. Është joreale të presësh ndryshime brenda natës”, përfundoi Stohr.