Xhamajka zyrtare: Keqardhje për keqkuptimin, s’e kemi njohur Kosovën

Xhamajka deri tani nuk ka marrë asnjë vendim rreth njohjes së Kosovës, shtet të pavarur.

Kështu ka bërë të ditur zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës, në një përgjigje për Klan Kosovën, në natën e së shtunës.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë së Jashtme e Xhamajkës është në dijeni për raportimet publike rreth njohjes së Kosovës si shtet i pavarur”, i shkruan Klan Kosovës, Njësia për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Mediale e MPJTJ’së së Xhamajkës.

“Çështjet si këto janë në shqyrtim të vazhdueshëm nga Qeveria e Xhamajkës. Megjithatë, tani për tani, Xhamajka nuk ka marrë asnjë vendim rreth çështjes”, thekson komunikata.

Madje kjo Ministri, shpreh keqardhje për keqkuptimin rreth qëndrimeve për njohje, njofton Klan Kosova.