Ymeri thotë se Vetëvendosje është në panik pas koalicionit AAK-PSD

Nënkryetari i PSD-së, Visar Ymeri, ka thënë se bisedimet për koalicionin mes AAK-së dhe PSD-së ka filluar që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj, për të cilin thotë se i ka kontaktuar i pari.

Ai thotë se në Këshillin Drejtues të PSD-së ka pasur disa vota kundër këtij koalicioni duke shtuar se ka gjithashtu ka pasur diskutim të gjatë për cilësitë e marrëveshjes me AAK-në.

Sipas tij, shumica e anëtarëve të këshillit kanë gjykuar se ky do të jetë koalicioni i duhur për partinë.

Ai në Interaktiv thotë se në diskutimet me AAK-në kanë arritur që t’i bashkërendojnë prioritetet programore.

“Ky koalicion është i fitores dhe ne në bashkëpunim me Aleancën jemi dakord që në koalicion të përfshihen edhe partitë tjera që janë të interesuara, që në rrafshin e brendshëm qytetarëve t’ua japim përgjigjen e merituar”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se ky koalicion është i vendosur që sovranitetin dhe integritetin e vendit ta mbaj siç është sot, duke me lejuar ndarjen e Kosovës.

Ai thekson se janë të kënaqur me 25 vendet e siguruara në listën me AAK-në, duke shtuar se koalicioni mes këtyre dy partive është moment historik.

Duke komentuar deklaratat e Vetëvendosjes, pas koalicionit, ai thotë se të gjitha deklaratat janë shkruar nga një person.

Spas Ymerit, VV-ja gjendet në panik pas këtij koalicioni.

“Edhe ata i kanë parë këto sondazhe që po flas, por paniku dhe zhgënjimi po ndodh edhe pas një lutjeje që janë duke i bërë që një kohë të gjatë LDK-së dhe kjo lutje ende nuk është kurorëzuar. Ata po i lutën në mënyra të ndryshme LDK-së që t’i marrin nën sqetull por ata nuk po i marrin”, ka thënë ai.

Ai tutje shton se motivi është shumë më i rëndësishëm se sa kritikat e tyre.

Sipas tij, dallimi mes PSD-së dhe VV-së, është se PSD-ja ka dalë e suksesshme në projektimin e bashkëpunimit me AAK-në, kurse Vetëvendosja jo.

Ymeri thotë se kontaktin me Haradinajn e ka pasur gjatë kohës sa ishte kryetar i Vetëvendosjes.

“Akuzat që sot i bëjnë VV-ja ndaj PSD-së janë vetëm shpërfaqje e inatit të tyre. Por, me këto nuk do të merrem as sot e asnjëherë. Koalicioni me AAK-në është koalicion që ne e kemi parë si mundësi të mirë dhe është e rëndësishme për të gjithë që këto politika që po i propozon PSD-ja të gjejnë zbatim”, ka thënë ai.

Duke folur për autostradën e Dukagjinit, ai ka thënë se ajo është e panevojshme.

Ymeri thotë se, duhet të ketë intervenime në këtë pjesë të rrugës por jo të ketë edhe autostradë.

Ndërkaq për delegacionin shtetërorë ai thotë se PSD-ja e ka sjellë në binar dialogun me Serbinë.

“Në njërën anë kishim presidentin që takohej me Vuçiqin dhe flisnin për korrigjim kufijsh e në anën tjetër kishim një opozitë që vetëm ankohej. PSD-ja ia kthehu këtë proces Kuvendit”, ka thënë ai.

Duke folur për mundësinë që Nisma dhe AKR-ja t’i bashkohen në koalicionin e AAK-së me PSD-në, Ymeri ka thënë se “se me këto dy parti, siguria për fitore do të vulosej përfundimisht dhe ky do të ishte lajm i mirë për Kosovën”.

Ai ka thënë se për ta është me rëndësi që të tregojnë se si qeveriset dhe se PSD-ja është ndryshimi.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se e rëndësishme është që PDK-ja të shkojë në opozitë.

Ai ka thënë se nuk e di se si do të reagojnë partitë e tjera pas koalicionit të sotëm me AAK-në.

“Ka një mundësi tjetër, që nuk jam i sigurt se a do të ndodhë, që LDK-ja dhe VV-ja të shkojnë në koalicion parazgjedhor. Personalisht nuk mendoj se kjo do të ndodhë sepse me sa po shoh, aty më shumë ka diskutim se kush do të jetë udhëheqës i qeverisë sesa çfarë qeverie do të jetë”, ka thënë Ymeri.

Duke komentuar takimin e sotëm të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me atë të PSD-së, Shpend Ahmeti, Ymeri ka thënë se aty është diskutuar për situatën aktuale politike, për shpërbërjen e Kuvendit dhe për mundësinë e bashkëpunimit pas zgjedhjeve.

Ymeri ka thënë se PSD-ja ka qenë e gatshme për koalicion parazgjedhor me këdo pos PDK-së, por ka shtuar se partia e tij tanimë ishte përcaktuar për koalicion me AAK-në e Haradinajt.

Numri dy i PSD-së, nuk e ka përjashtuar koalicionin paszgjedhor me LDK-në, siç ka bërë me ish-partinë e tij, e të cilën për një mandat edhe e ka udhëhequr.

“Bashkëpunimi me Vetëvendosjen pamundësohet prej tyre. Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kemi pasur bashkëpunim në opozitë. Me Lëvizjen Vetëvendosje po shihet se është gati e pamundshme që të bashkëpunohet”, ka thënë ai, teksa ka shprehur akuza ndaj udhëheqjes së re të VV-së.

“Me kthimin e Kurtit në krye të partisë, ka një kthim me kokë poshtë i LVV-së, që nuk është asgjë më shumë se sa partitë e tjera, e kështu ndryshimi nuk vjen”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se nuk pret befasi më 22 gusht kur pritet të votohet për shpërndarjen e Kuvendit.

“Mendoj që është e domosdoshme të ndodhë shpërndarja dhe sa kam parë deklarimet e të gjitha grupeve parlamentare, kjo do të ndodhë. S’pres befasi. S’shoh as mundësi as dobi që diçka tjetër të ndodhë”, ka deklaruar ai.