Z-Mobile nuk do t’i merr 26 milionë euro nga Telekomi deri në stabilizim financiar

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit kanë deklaruar se kanë arritur marrëveshje me kompaninë “Dardafon.net”.

Ky Bord po thotë se ka arritur marrëveshje për pezullim të përmbarimit për afat të pacaktuar, deri në stabilizimin financiare të kësaj ndërmarrjeje.

Sipas tyre, “Dardafon.net” nuk do t’i bllokon më llogaritë e Telekomit dhe borxhi prej 26 milionë eurove do paguhet kur kompania publike të stabilizohet financiarisht.

Përmes një njoftimi nga Zyra për Informim, thuhet se Telekomi po punon me të gjitha palët në këtë proces, përfshirë edhe kreditorin.

“Bordi i ri Menaxhues me të marrë detyrën ka pranuar informatat e përgjithshme nga Menaxhmenti i Telekomit, ka analizuar situatën emergjente financiare, operative të korporatës dhe menjëherë si masë emergjente ka takuar kreditoret më të mëdhenj dhe përmbaruesin, duke kërkuar nga kreditorët mirëkuptim për gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht Telekomi i Kosovës. Bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës, i kryesuar nga Mehmet Berisha, ka arritur pajtimin për pezullim të përmbarimit të mjeteve të Telekomit për një afat të pacaktuar, deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike të kësaj kompanie publike”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Telekomit javë më parë iu bllokuan llogaritë bankare nga përmbaruesi privat për shkak të borxhit në vlerë mbi 26 milionë euro, që është pasojë e rastit të humbur në Gjykatën e Arbitrazhit me Dardafon.net, i njohur me emrin tregtar si Z-Mobile.