Zaimi i LV-së: Logjika me Albin Kurtin do të jetë, mjer filani që u bë ministër

0
160

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Zaimi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është duke u munduar që të sjellë ndryshim me zgjedhjen e ministrave.

Zaimi ka shkruar në Facebook se ministri duhet parë si shërbëtor i një programi politik të votuar nga qytetarët.

“Atij i jepen prej kryeministrit detyra e afate, për punë, nëse i bën merr mirënjohje, nëse jo, ndërrohet. Aq sa e njoh Albinin, di të them se është njeri që kërkon punë dhe përgjegjësi, e aq sa i njoh ministrat e përzgjedhur prej tij, mendoj se do të jenë në gjendje t’i kryejnë me përgjegjësi punët, por jo pa dhënë maksimumin e tyre.

Pra, logjika e vjetër është: lum filani për veten që u bë ministër. Logjika me Albinin do jetë: mjerë filani që u bë ministër, se tash s’ka më kohë as për veten”, ka shkruar ai.

Zaimi thotë se sa i përket përzgjedhjeve të LV-së për pozita nuk do të thotë se dikush tjetër vlen më pak brenda partisë.

“E sa i përket krahasimeve, përzgjedhja e dikujt për një pozitë – nuk do të thotë se dikush tjetër vlen më pak. Nëse kjo është shah, Albini është lojtar i lojës së gjatë. Secilit element do t’i kërkohet maksimumi që mund të japë, në vendin ku mund ta japë, në funksion sërish jo të vetes, por të programit politik dhe ndryshimit shoqëror”, ka shtuar ai./GazetaExpress/