Zbërthimi i Samitit të Athinës: Matematika e re e zgjerimit të BE-së

Një takim që është mbajtur në fillim të kësaj jave në Athinë midis udhëheqësve të institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian dhe krerëve të shteteve ose qeverive të disa vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, ka dhënë mjaft indikacione për rrugën që mund ta marrë zgjerimi i bllokut këtë vjeshtë dhe në vitet në vazhdim. Ai ka zbuluar, po ashtu, se i gjithë procesi është i rrethuar me çështje të ndërlikuara.

Së pari, duhet analizuar konteksti i këtij takimi në kryeqytetin grek, me ftesë të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Tubimi i tillë është një ngjarje e rregullt në këtë periudhë të vitit, tash e disa vite. Zakonisht përfshin gjashtë vendet kandidate dhe kandidate potenciale për në BE të Ballkanit Perëndimor: Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Në shumë mënyra, takimi në Greqi ka qenë një mjet për këtë vend për të treguar lidership në një rajon, ku gjendet gjeografikisht dhe ku luan rol të jashtëzakonshëm politikisht.

Për më tepër, ky takim ka shënuar 20-vjetorin e një vendimi historik në Selanik – qytetin e dytë të Greqisë – sipas të cilit, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, një ditë, do të anëtarësohen në BE. Trashëgimia dhe simbolika pas këtij vendimi janë të dukshme

Megjithatë, takimi ka ofruar diçka të re. Ka pasur dy të ftuar të rinj: Moldavinë dhe Ukrainën. Kjo e ka transformuar atë në një ‘samit joformal të zgjerimit të BE-së’, pasi Kievi dhe Kishinjevi janë vende kandidate për në BE. Shpresat janë që bisedimet e pranimit me to të nisin deri në fund të vitit. Por, prania e tyre ka ngritur pyetjen se pse kanë munguar vendet e tjera që aspirojnë BE-në, Turqia dhe Gjeorgjia?!

Disa diplomatë të BE-së kanë thënë se Greqia e ka bërë ftesën, por gjithashtu kanë theksuar se ky format nuk synohet të jetë i përhershëm.

I pyetur se pse Turqia dhe Gjeorgjia nuk kanë qenë të pranishme, një diplomat ka thënë: “Vendet e ftuara duket se kanë përparuar më së shumti në rrugën e tyre”.

Ky pohim mund të duket i saktë, pasi Tbilisi është qartazi një hap prapa Moldavisë dhe Ukrainës, sepse nuk është as vend kandidat. Në anën tjetër, bisedimet e pranimit të Turqisë në BE janë ngrirë prej vitesh, për shkak të disa mosmarrëveshjeve midis Ankarasë dhe BE-së për çështje të ndryshme.

Por, teknikisht, Turqia mbetet më e avancuar se shumica e vendeve që synojnë BE-në, pasi ka nisur bisedimet e pranimit në vitin 2006 – gjë që e vendos atë në të njëjtën kategori me Malin e Zi dhe Serbinë. Vlen të theksohet se Kosova, e pranishme në Athinë, as që njihet si shtet i pavarur nga BE-ja.

Megjithatë, duket se këtu ka diçka tjetër në lojë. Një nga temat dominuese të bllokut këtë vjeshtë është “kapaciteti absorbues”. Ky koncept sillet rreth mënyrës se si duhet të funksionojë Bashkimi Evropian kur t’i nënshtrohet zgjerimit të mëtejshëm.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, nuk është më çështja nëse do të zgjerohet blloku, por kur dhe si. Ky ndryshim është nxitur sidomos nga vendet perëndimore të BE-së, që historikisht kanë kundërshtuar zgjerimin e bllokut. Franca dhe Gjermania kanë krijuar një grup të përbashkët pune për këtë çështje, i cili do t’i paraqesë mendimet e tij fillestare në shtator.

Kur Komuniteti Politik Evropian (EPC) të mblidhet në qytetin spanjoll të Granadës, në fillim të tetorit, “kapaciteti absorbues” do të jetë temë kryesore e diskutimit. Vendimet, ndoshta të një natyre politike dhe institucionale, mund të merren në samitin e BE-së në dhjetor.

Kur zyrtarët e BE-së diskutojnë “kapacitetin absorbues”, ata shpesh mendojnë se si do të funksionojë “BE-ja 35”. Kjo nuk i referohet vitit 2035, por anëtarësimit të vendeve të reja. Në atë rast do të ishin tetë të reja, pasi BE-ja aktualisht ka 27 shtete anëtare. Sfidë është se, aktualisht, janë dhjetë vende që kërkojnë t’i bashkohen BE-së: gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjia, Moldavia, Turqia dhe Ukraina. Pra, cilat dy nuk po merren parasysh?

Diplomatët mund të këmbëngulin se termi “BE 35” nuk është i lidhur me vende specifike, por Samiti i Athinës mund të ketë dhënë një indikacion të hershëm se cilat mund të jenë në të vërtetë 35 vendet.