Zbulohet pllaka përkujtimore e dëshmorit, Gëzim Rama

Me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorit, Gëzim (Rasim) Rama, sot është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore në vendin e rënies së tij, në fshatin Stroc të Komunës së Vushtrrisë, raporton Fokusi.info.

 

Në përkujtim të dëshmorit morën pjesë: Përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga niveli qendror dhe lokal, përfaqësues të institucioneve qendrore dhe komunale, pjesëtarë të FSK-së, Policisë së Kosovës, bashkëluftëtarë, qytetarë dhe familjarë.

Gëzim Rama është dekoruar nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi me titullin “Hero i Kosovës”, ku me këtë rast familjes iu dhurua dekorata nga Ismail Syla, këshilltar i Presidentit, i cili edhe mbajti një fjalë rasti.

Fjalë rasti mbajtën edhe: Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhafer Tahiri, kryetar i Komunës së Vushtrrisë, komandanti i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, Aziz Bici, zv/komandanti i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës, Behram Rrahmani, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve-dega në Vushtrri, Gëzim Zuçaku.

Xhavit Jashari
Xhafer Tahiri
Aziz Bici
Behram Rrahmani
Gëzim Zuçaku

Me këtë rast, këngëtari Besim Haliti dhe Xhevdet Shala kënduan këngë kushtuar dëshmorit, Gëzim Rama.

Besim Haliti
Xhevdet Shala

Mirsad Rama

Dëshmori Gëzim(Rasim) Rama ishte ushtar i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës të UÇK-së, i cili u vra më 10 prill 1999 në vendin e quajtur “Dardha e Kuqe” në fshatin Stroc të Vushtrrisë, në lagjën “Hasani”. Trupin e Gëzimit e tërheqin  bashkëluftëtarët e tij dhe në mbrëmjen e 10 prillit e varrosin me nderime ushtarake në vendin e quajtur “Rrahu i Selmanit” mbi fshatin Stroc.