Zëdhënësi i AAK-së i reagon Bislimit për Elektroseverin: Jeni ardhë me rrena, keni me shku me rrena

Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i cili e ka mirëpritur marrëveshjen e djeshme ndërmjet KEDS-it dhe Elektroseverit.

Xhemaili i ka kujtuar Bislimit qëndrimin e kryeministrin Kurti që si opozitar kishte ndaj Elektroseverit.

“Prej kur marrëveshja me Elektroseverin, qenka bërë marrëveshje historike dhe sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën? Shiheni videon e mëposhtme të Albin Kurtit sa ishte në opozitë dhe qëndrimin e tij për Elektroseverin”, ka thënë Xhemaili.

Ai ka shtuar se qeveria Kurti me rrena ka ardhë në pushtet e me rrena ka me shku.

“Zëvendëskryeministri paska deklaru që më në fund pas 20 vjetësh do të fillojë faturimi i rrymës në veri, por nuk paska tregu se cila është hisja e Elektroseverit të Serbisë në tregun energjetik të Kosovës”.

“Kjo qeveri me rrena ka ardhë e me rrena do të perfundojë. Populli nuk han bari, populli ju sheh!”, është shprehur Xhemaili.