Zeka më 15 mars para gjykatës për rastin e vizave, akuzon Prokurorinë për bashkëpunim me Tomë Gashin

Gazetari Milaim Zeka ka njoftuar se seanca e radhës për gjykimin ndaj tij për rastin ku po akuzohet për mashtrim me viza do të mbahet më 15 mars.

Zeka, në një prononcim për lajmi.net, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të Prokurorisë dhe avokatit Tomë Gashi, duke thënë se “po manipulojnë me numrin e të mashtruarve”, shkruan lajmi.net.

“Për mu, personalisht, nuk ka asnjë dëshmitar. Por Prokuroria që deri më tash ka manipulu me Gjykatësin e Millosheviqit, me Tomqen, Tomë Gashin, se gjoja janë 940 të mashtrun. D.m.th këta janë hedh poshtë”, ka deklaruar ai.

“Seanca e radhës mbahet me datën 15 mars. Ju ftoj me e përcjellë seancën sepse unë d.m.th kam me u marrë në pyetje, unë kam me mbajt fjalën mbrojtës”, ka thënë më tej ai.

Lidhur me procesin e tij gjyqësor Zeka ka folur mbrëmë edhe në ATV, duke thënë se gjykimit të tij po i vjen fundi.

“Dje dhe sot kam qenë gjithë ditën në procesin tim gjyqësor, që është duke zgjat qe pesë vite. Për fatin e keq, gazetat nuk shkruajnë asnjëherë lajme pozitive, por lajmi pozitiv është se dje gjykata i ka rrëzu diku 920 dëshmitarë, pa kurrfarë vlere në procesin e vizave dhe ka ngelë vetëm një pjesë e dëshmitarëve”, është deklaruar ai.

“Lajmi nr.2 është se procesi po shkon drejt fundit. Ai që është lajm super super pozitiv është që ajo çka e kam thënë para pesë vitesh. Për këtë kur të merret vendimi përfundimtar indirekt pak a shumë kam folë, kam folë edhe sot në fjalën time mbrojtëse. Do të ketë kohë për të folë se qysh është gatu krejt kjo qorbë kundër meje”, ka thënë më tej Zeka.