“Zemër, ke dështu”, rinia e LDK-së me aksion simbolik para Qeverisë

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot një aksion simbolik para objektit të Qeverisë së Kosovës, në tre vjetorin e qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti. Ky aksion është titulluar “Zemër, ke dështu”.

Ata kanë shpërndarë fletushka në formë të zemrës për qytetarët, në të cilat shkruhet “Me zemrën në darkë, për zemër jashtë vendit”, “Zemra të mban gjallë, por t’lëshon kur të vjen fatura”, “Zemrën plot, kuletën thatë”.

Kryetari i Forumit të Rinisë së LDK-së, Paris Guri, tha para gazetarëve se përmes këtij aksioni simbolik po ia rikujtojnë Qeverisë që po u përfundon mandati “me dështime në cdo fushë”.

“Në vitin e saj të katërt, kjo qeveri po vazhdon me dështime në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në marrëdhënie ndërkombëtare, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, në energji, dhe në secilën sferë tjetër”, tha Guri.

“Çdo ditë qindra të rinj po nisen drejt Evropës sepse vendin ku lindën nuk po e shohin më si alternativë ndërsa perspektivën per realizimin e potencialit të tyre po e kërkojnë jashtë vendit. Me gjendjen e tanishme në Kosovë, askush nuk mund t’i fajësojë”, tha Guri.

Ai po ashtu tha se “sot në ditën e të dashuruarve, ne ja kujtojmë Qeverisë se dashuria për vendin tonë është më e madhe se gjithçka tjetër, dhe se e ardhmja na takon neve qe e shohim Kosovën si vend për të jetuar, e jo si diçka te përkohshme”.