‘Zgjedhjet e reja janë të pritshme’, Muhaxhiri vlerëson se Kurti është në pozitë ‘të palakmueshme’

Çështja e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe “është shndërruar në element të patejkalueshëm”, ka thënë opinionisti Artan Muhaxhiri, ndërsa ka vlerësuar se realizimi dhe mosrealizimi i saj të dyjat vinë me një kosto për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në dritën e kësaj, ai sheh se zgjedhjet e reja në vend vitin tjetër janë “absolutisht të pritshme”.

“Asociacioni është shndërruar në një element të patejkalueshëm dhe çdo humbje kohe në realizmin e tij praktik shkon në dëm të qeverisë dhe të shtetit të Kosovës. Kjo nënkupton izolimin, alternativa e mosrealizimit të Asociacionit është izolimi dhe vazhdimi i masave ndëshkuese që janë aktualisht”.

“Kryeministri Kurti është në pozitë të palakueshme sepse përderisa ka qenë krye opozitar ka qenë kundërshtari më i madh i Asociacionit, ndërsa tani si kryeministër është vetëdijesuar se s’ka asnjë mundësi tjetër që të bllokojë procesin, por mund të neglizhojë dhe të humbas kohë. Edhe kjo ide prapë i shkon në dëm të tij, sepse si e pranojë si nuk e pranojë ai do të ketë pasoja”.

“Nëse e pranon do të ketë pasoja në aspektin e moralit politik, ndërsa nëse nuk e pranon atëherë do të ketë izolim dhe një lloj refuzimi të bashkëpunimit dhe bllokim të rrugës evropiane për Kosovën…Nëse nuk e pranon realizimin në praktik të Asociacionit, absolutisht janë të pritshme edhe zgjedhjet e reja pasi do të duhej një lloj ri konfigurimi duke marrë parasysh rrethanat e reja”, ka thënë Muhaxhiri për “Kosovapress”.