Zgjedhjet lokale të 17 tetorit, LVV e LDK deklarohen se janë fituese të raundit të parë

Zgjedhjet lokale në vend u mbajtën më 17 tetor, ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës deklarojnë se janë fitues të zgjedhjeve.

Ditë më parë nga këto dy parti kanë deklaruar se janë fitues të zgjedhjeve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, derisa raundi i dytë i këtyre zgjedhjeve do të mbahet më 14 nëntor.

Por, asnjëra prej partive nuk ka qartësuar se deklaratat për fitore në zgjedhje a janë mbështetur në votat për kryetar të komunave apo për asamble komunale në nivel vendi.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ditë më parë ka falënderuar të gjithë votuesit e subjektit të tij.

Përmes një shkrimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se rikthimi si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin prej tyre, andaj ka kërkuar që të vazhdojë puna për raundin e dytë.

“Pas përfundimit të procesit të numërimit të të gjitha votave, të rregullta, të mërgatës e me kusht, i falënderoj të 170,177 votuesit e LDK-së, që me besimin dhe mbështetjen e tyre, vendosën Lidhjen Demokratike të Kosovës si partinë e parë – me më së shumti vota – në zgjedhjet e 17 tetorit. Rikthimi ynë, si parti e parë në zgjedhje lokale, është përmbushje e plotë për secilin nga ne. Por, mbi të gjitha, është rikujtim se angazhimi ynë i vërtetë dhe i drejtë merr gjithherë mbështetje qytetare”.

“Këtë besim e këtë rikthim duhet ta kujdestarojmë me plot përgjegjësi deri në vlerësimin tjetër. Puna jonë vazhdon. Në raund të dytë edhe më tej. LDK është për të gjithë. Ju faleminderit nga zemra”, ka thënë Abdixhiku.

Por, të enjten mbrëma lidhur me fitoren në zgjedhje lokale është shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se është e para në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se në raport me zgjedhjet e kaluara lokale, e kanë dyfishuar votën për Lëvizjen në nivel vendi.

“Zyrtarisht me 216 mijë e 556 vota Lëvizja VETËVENDOSJE! u shpall fituesja e këtyre zgjedhjeve lokale. Falënderojmë secilin votues, nga fshatrat e qytetet tona, dhe diasporën tonë të dashur”, thuhet në njoftim.

Tutje sipas LVV-së, në këto zgjedhje është dyfishuar numri i asamblistëve në kuvendet komunale.

“Me kandidatët tanë jemi në garë për t’i fituar 12 komuna. Mbeten vetëm 15 ditë deri në rrethin e dytë zgjedhor, dhe duhet të angazhohemi në maksimum që ta rrisim mbështetjen për Lëvizjen. Fitorja e Lëvizjes në komuna do të thotë shërbim për qytetarët, transparencë, përkujdesje, zhvillim e drejtësi”.

“Prandaj këto ditë të lëvizim e të punojmë së bashku, me mbështetësit, vullnetarët, e gjithë qytetarët, sepse bashkë jemi fitimtarë”.

“Ta vendosim modelin e qeverisjes Kurti edhe në këto 12 komuna, dhe ta kthejmë pushtetin lokal kah e mbara”, thuhet në fund.

Ndryshe, LVV dhe LDK kanë prezantuar shifra të ndryshme duke shpallur veten të parën, duke përdorur votat për kryetar, për Asamble dhe votat nga diaspora.