Zhegrova: E mora numrin 9 për nder të Fadil Vokrrit, fitoren ia dedikoj atij

Kosova e ka nisur me fitore kampanjën kualifikuese në Ligën e Kombeve duke e mposhtur Qipron në Larnaca me rezultat 0:2.

Kosova ishte favorite dhe e shfrytëzoi këtë në fushë duke dhuruar spektakël dhe me plotë meritë doli triumfuese.

Valon Berisha e Edon Zhegrova shënuan, por shumë lehtë në listën e realizatorëve kanë mundur të jenë edhe Vedat Muriqi, Milot Rashica e Blendi Idrizi që kishin raste shumë të mira.

Pas ndeshjes, Zhegrova tha se e kishte fanellën me numrin 9 sot për nder të legjendës Fadil Vokrri dhe fitoren ia dedikoi atij.

“Gjithë lojtarët kemi dhanë maksimumin ta fitojmë këtë ndeshje. Çdoherë mundohem ta jap maksimumin, qoftë me gola apo asiste. Jam i kënaqur me Lille. Kam punuar shumë dhe do të punoj deri sa t’i arrij majat. Sot e kam pasur fanellën me numrin 9, për nder të legjendës Fadil Vokrri. Këtë fitore ia dedikoj atij”, u shpreh Zhegrova.