Zotimi i Haradinajt pas letrës amerikane: Nuk e heqim taksën

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha pas një takimi siç e quajti ai joformal me drejtues të partive të koalicionit dhe me ministra të kabinetit të tij se vazhdon me insistimin që taksa 100 % ndaj mallrave serbe e boshnjake nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Haradinaj kërkoi mirëkuptimin e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij vendimi.
Kryeministri foli edhe për letrën e dërguar nga zyrtarë të lartë të Qeverisë amerikane, të cilët kanë bërë thirrje për pezullimin e taksës ndaj Serbisë.
Ai tha se për këtë ka biseduar me ambasadorin Kosnett, të cilit tha se i ka shpjeguar se Kosova e do Amerikën, por nuk do t’i nënshtrohet Serbisë dhe Rusisë.
“Nuk mundemi t’i nënshtrohemi Serbisë që ajo të bëjë hajgare me ne. Serbia po na sulmon, po na pengon, e po lobon për heqjen e njohjes së Kosovës”, theksoi Haradinaj.
Po ashtu, Haradinaj e potencoi se taksa ndaj Serbisë e Bosnjës nuk është “nga qejfi por nga zori”.
Ai shtoi se është koha e fundit që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme.