ZRrE: Për shtrenjtim ose jo të energjisë elektrike vendoset brenda dy jave, vendimi i Kushtetueses shumë kompleks

Gjykata Kushtetuese ka vërtetuar vendimet të cilat obligojnë Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’i kompensojë qytetarët të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat në veri të Kosovës.

Kushtetuesja ka vendosur që rreth 40 milionë euro do t’u kthehen konsumatorëve, të cilët e kanë paguar rrymë për serbët në veri të Kosovës – bazuar në një vendim që ishte marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në vitin 2012, raporton Front Online.

Kushtetuesja ka konstatuar se aktgjykimi i Supremes i datës 09 mars 2023 nuk është në kundërshtim me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të paraparë me Kushtetutë dhe të drejtën për një proces te rregullt të paraparë me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në lidhje me këtë ZRrE-ja në një përgjigje për FronOnline thonë se janë duke shqyrtuar të gjitha opsionet e mundshme ligjore që kanë në dispozicion dhe lidhur me veprimet tutje, sipas tyre, do të njoftojnë me kohë.

‘’Në lidhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetueses, ashtu siç ju kemi informuar, ZRRE është duke e analizuar këtë aktgjykim dhe do të shqyrtoj të gjitha opsionet e mundshme ligjore që i ka në dispozicion në lidhje me këtë rast. Pavarësisht që ky aktgjykim është mjaft kompleks, ZRRE-ja do ti kryej detyrat e saj konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren, opinioni publik do të njoftohet me kohë’’, thonë nga ZRrE-ja për Front Online.

ZRrE: Në fund të marsit ose në fillim të prillit vendimi për tarifa të reja për energjinë e shpenzuar

Nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë kanë folur edhe në lidhje me mundësinë e tarifave të reja për energjinë elektrike nga muaji prill.

Nga ZRRE-ja për Front Online thonë se janë në proces të analizimit dhe shqyrtimit te komenteve te dërguara nga palët e interesuara dhe pas shqyrtimit dhe analizimit të tyre dhe sipas tyre një përgjigje do e japin në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill.

‘’ ZRRE pas publikimit të vlerësimit fillestar lidhur me të Hyrat e Lejuara Maksimale të ndërmarrjeve të rregulluara ka pranuar komente nga palët e interesit. Aktualisht ZRRE është ne proces të analizimit dhe shqyrtimit të komenteve të dërguara nga palët e interesuara dhe pas shqyrtimit dhe analizimit te tyre, planifikohet që kah fundi i këtij muaji të merret vendimi për të hyra maksimale. Ndërsa propozimi për tarifa bëhet nga ndërmarrjet e rregulluara konform të hyrave të aprovuara, vendimi për të cilat pritet të merret në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill’’, thonë nga ZRRE për Front Online.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka folur rreth asaj se sa do të jenë të hyrat maksimale. Sipas ZRrE-së vlerësimi përfundimtar për të Hyrat e Lejuara Maksimale është në proces dhe pas këtij vlerësimi do të bëhet edhe publikimi i raportit përfundimtar.

“Sa i përket pritshmërisë se sa do te jenë te hyrat e lejuara maksimale, deri në këtë fazë ZRRE ka vetëm vlerësimet fillestare të cilat janë të publikuara, ndërsa vlerësimet përfundimtare për të Hyrat e Lejuara Maksimale janë në proces të shqyrtimit dhe pas këtij vlerësimi Raportet përfundimtare do të publikohen’’, thonë nga ZRrE-ja për Front Online.