Zvogëlohet numri i pasagjerëve që udhëtojnë me tren, ndërsa rritet transporti i mallrave

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka përgatitur publikimin e radhës “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit TM – 2/2019”, me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor, dhe Telekomunikimin për tremujorin e dytë (TM2 2019).

Përmes këtij publikimi janë prezantuar të dhëna si në vijim:

Në territorin e Kosovës, kemi gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport.

Në tremujorin e dytë të vitit 2019, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi është 30 mijë, krahasuar me tremujorin e njëjte të vitit të kaluar (TM 2 2018), numri i udhëtareve është zvogëluar për 19.3%.

Transporti i mallrave me tren në tremujorin e dytë të vitit 2019 është 153 mijë ton, krahasuar me tremujorin e njëjte të vitit të kaluar (TM 2 2018), kemi rritje për 58.7%.

Sa i përket numrit të fluturimeve në tremujorin e dytë të vitit 2019, kemi pasur 2173 fluturime apo 11.03% më shumë se në tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM 2 2018).

Numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti gjatë këtij tremujori është rreth 580 mijë, në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM 2 2018) kemi rritje për 11.24%.