Zyra e kryeministrit: Është e padrejtë të manipulohet me të rënët dhe arkivolet e tyre

Zyra e kryeministrit Haradinaj ka vlerësuar se manipulimi me të gjeturat e Raportit për Kosovën 2019 të Komisionit Evropian dhe tjetërsimi i fakteve për vendimet e marra në Qeverinë Haradinaj, është një veprim i ulët dhe qëllimkeq.

Njoftimi i plotë i zyrës së kryeministrit:

Manipulimi me të gjeturat e Raportit për Kosovën 2019 të Komisionit Europian dhe tjetërsimi i fakteve për vendimet e marrura në Qeverinë Haradinaj, është një veprim i ulët dhe qëllimkeq. Me keqardhje pamë sot në një medium, një shkrim të tillë, nga një personalitet i vendit. Kosova ka sfidat e saja dhe të metat, për të cilat duhet angazhim i të gjithëve.

Qeveria Haradinaj ka gjithmonë dhe me dedikim maksimal, ka respektuar dhe nderuar të rënët dhe të zhdukurit. Është e padrejtë të manipulohet me të rënët dhe arkivolet e tyre. Mos të luajmë me historinë e mos ta përulim sakrificën! Shkrime të tilla, të njëpasnjëshme për ta kthyer në të zezë çdo të arritur, nuk i shërbejnë askujt, madje as shkruesit dhe publikuesit të tyre.

Gjithmonë në respektim të së drejtës për liri të mendimit dhe të shprehurit, shprehim edhe njëherë keqardhjen, që në konturat e këtij preteksti, opinioni të shërbehet me të pavërteta dhe informacione të manipuluara, për konsum ditor dhe nga qarqe të caktuara.

Kjo Qeveri, për kohën sa është në detyrë, është përballur me tema e probleme të lëna anash prej dekadash dhe ka ndërmarrë veprime konkrete që kanë përmirësuar jetën e qytetarëve tanë. Kjo nuk është një deklaratë satisfaksioni! E dimë që na presin shumë punë e sfida, për ta bërë Kosovën, vend të dinjitetshëm, të barabartë për të gjithë!