Zyrtari i LDK-së: LVV të jetë më e matur, nëse s’iu pëlqejmë si partner le të kërkojnë të tjerë

Marrëdhëniet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës janë ftohur tej mase pas ofertës së fundit të bërë nga partia që doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në propozimin e 8 janarit nga LDK thuhet se “LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri”.

Me këtë propozim nuk janë pajtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe kështu ata deklarojnë se plani B do të jenë zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend.

Por në rast se vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe LVV del fituese, kjo parti thotë se nuk do të ndërronte partner.

I pyetur në Rubikon të KTV-së, se me kë do ta bëjnë Qeverinë nëse shkojnë në zgjedhje, deputeti i LVV-së Liburn Aliu ka pohuar se prapë do të preferonin që më LDK-në të bashkëqeverisnin.

‘’Me LDK-në’’, përfundon deputeti Aliu.

Por në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk e pohojnë të njëjtën gjë.

Anëtari i Kryesisë, Naser Osmani në një prononcim për Periskopin deklaron se shkuarja në zgjedhje nuk është në dorën e LVV-së.

Sipas Osmanit, për të shkuar në zgjedhje duhet të shtjerrën të gjitha mundësitë.

‘’Çështja e zgjedhjeve, duhet me vendos institucionet përkatëse pra Kushtetuese kur të shtjerrën të gjitha mundësitë dhe natyrisht LDK në zgjedhje shkon e përgatitur dhe nuk ju frikësohet zgjedhjeve. Ne e kemi pasë si një marrëveshje të brendshme të partisë që nëse LDK del fituese si prioritet do ta ketë koalicionin me VV-në. Qëndrimi i LDK ka vlejtë për këtë mandat por nuk e di çfarë vendimi do të marrim nëse del e para. Nëse nuk është arritë një marrëveshje me këtë rezultat me VV-në e kam vështirë me shpresu që zgjedhjet mund të sjellin diçka tjetër dhe neve me na ulë përsëri në tavolinë dhe me arritë marrëveshje. Mendoj që VV duhet me i tejkalu pengesat e paarsyeshme, me bë marrëveshjen me përmbush detyrimin kushtetues dhe me shku tutje’’, tha Osmani.

Tutje, ish-deputeti i LDK-së thotë se VV duhet të tregohet më e matur ndaj deklaratave që i lëshon karshi partnerit potencial për qeverisje.

Ata (LVV) kanë përgjegjësi dhe duhet të reflektojnë konform përgjegjësive që kanë. Duhet të përmbahen se ende nuk ka përfundu kurrgjë. Tek e fundit ata na kanë zgjedhë neve si partner, jo ne ata sepse ata janë fitues. Edhe nëse arrinë marrëveshje me partnerin dhe ka pak dyshim tek partneri duhet të tejkalohen pengesat të cilat ne i shohim si pengesa të vogla, por nëse jo ata mund të kërkojnë partnerë të tjerë’’, përfundon Osmani.