Zyrtari i PDK-së “godet” Vjosa Osmanin: Profesoresha e Juridikut që nuk respekton Kushtetutën

Zyrtari i PDK-së Betim Gjoshi me anë të një shkrimi në Facebook ka goditur ashpër Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani pasi thekson se kjo e fundit nuk është bashkëpunuese me Gjykatën Kushtetuse duke sjellë dhe një dokument të kësaj Gjykate për ta vërtetuar.

Ai thekson se megjithëse zonja Osmani është Profesoreshë e Juridikut ajo tjetër vepron dhe tjetër ju mëson studentëve tësaj.

“Absurditeti është ky – Kryetarja e Kuvendi, e cila e përfaqëson këtë institucion, e që jep mësime drejtësie në fakultet, nuk i përgjigjet kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. E injoron këtë kërkesë dhe refuzon të bashkëpunojë.Sjellja e saj, në kundërshtim me parimet që ligjëron çdo javë para qindra studentëve që nesër do të jenë avokatë, profesorë, gjyqtarë, prokurorë – është vrazhdësi dhe pazotësi për t’u shkëputur nga interesat e politikës ditore të një subjekti politik që nuk i takon.” shkruan Gjoshi.

Postimi i plotë i Gjoshit:

KUR NJË PROFESORESHË E JURIDIKUT NUK E RESPEKTON GJYKATËN KUSHTETUESE

Sa herë që kryetarja e Kuvendit dërgon njoftime nga aktiviteti i saj në këtë institucion, i nënshkruan këto njoftime me kredencialet akademike, Dr. Vjosa Osmani, për të na treguar arritjen e saj akademike.

Ajo është ligjëruese në Fakultetin Juridik, ku askund më shumë nuk mësohet për respektimin e ligjit dhe institucioneve.

Por, në vend se kjo të ishte përparësi për Kuvendin dhe për Kosovën, në fakt po del se është magësi dhe fatkeqësi. Kur është në fakultet ajo mund t’i “gënjejë” studentët e saj me fjalët e bukura për drejtësinë, por kur shkon në Kuvend sjellja e saj është larg ligjërimit të saj.

Pse po e them këtë?

Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në RKS për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën (Kapitulli 8, neni 112).

Por, çfarë ndodhë në vendin tonë kur kjo Gjykatë i kërkon Kuvendit të dijë se çfarë ka bërë me një çështje të caktuar?

Absurditeti është ky – Kryetarja e Kuvendi, e cila e përfaqëson këtë institucion, e që jep mësime drejtësie në fakultet, nuk i përgjigjet kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. E injoron këtë kërkesë dhe refuzon të bashkëpunojë.

Sjellja e saj, në kundërshtim me parimet që ligjëron çdo javë para qindra studentëve që nesër do të jenë avokatë, profesorë, gjyqtarë, prokurorë – është vrazhdësi dhe pazotësi për t’u shkëputur nga interesat e politikës ditore të një subjekti politik që nuk i takon.

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Dr. Vjosa Osmani jo-bashkëpunuese edhe përkundër faktit se është detyrim ligjor i të gjitha organeve publike të mbështesin dhe të bashkëpunojnë me këtë gjykatë dhe sipas kërkesës së saj. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e mban datën 1 maj 2020.

Dr. Vjosa Osmani, përmes sjelljes së saj, po e zhvlerëson punën e Kuvendit të Kosovës, ashtu siç po bën edhe shkelësi i Kushtetutës, Albin K. kur deklaronte se Kuvendi është i seancave të kota.