80% e popullatës e vaksinuar, por ky shtet po përballet me një valë tjetër të COVID-19

Pasi u bë një nga shtetet e para që u rihap falë fushatës së përhapur të vaksinimit kundër COVID-19, Izraeli sërish ka ngritur masa, këtë herë kundër përhapjes së variantit Delta.

Urdhri për maskat është rikthyer, përfshirë kërkesat për maska në tubimet e mëdha në hapësirat e jashtme. Shumë vende kërkojnë nga njerëzit të tregojnë prova vaksinimi, një test negativ të koronavirusit ose një provë se janë shëruar nga virusi. Njerëzit që kthehen nga shtete të tjera duhet të karantinohen për të paktën një javë, edhe nëse janë të vaksinuar. Personave mbi 60-vjeç po u ofrohet një vaksinë e tretë e Pfizerit dhe qeveria po planifikon t’ua ofrojë atë të rinjve me shpresën se mund ta frenojë rritjen e rasteve me sëmundje të rëndë.

Zyrtarët shëndetësorë po paralajmërojnë se Izraeli mund të përballet me izolim për të katërtën herë tash gjatë sezonit të festave të hebrenjve në shtator nëse vendi nuk rrit shkallën e vaksinimit të të rriturve, raporton Tel Aviv.

Një muaj më parë, jeta në Izrael po i kthehej normalitetit. Njerëzit po darkonin jashtë dhe po merrnin pjesë në koncerte pa pasur nevojë për të ashtuquajturën pasaportë të gjelbër apo një certifikatë të vaksinimit. Por, varianti Delta që transmetohet më lehtë po detyron një ndryshim nga kjo gjendje.

“Ajo pamje kur nuk ishim të shqetësuar për asgjë, ishte shumë e shkurtër”, ka thënë Rena Magun, e cila bashkë me burrin e saj drejton një biznes planifikimi të ahengjeve në Jerusalem.

Të tjera shtete me shkallë të lartë të vaksinimit, ashtu si Izraeli me 80 për qind të vaksinuar, kanë parë po ashtu rritje të infektimeve me variantin Delta. Megjithatë hospitalizimet kanë mbetur të ulëta.

Ka pasur rritje të rasteve të personave të sëmurë rëndë nga virusi në Izrael nga fillimi i gushtit, duke u dyfishuar numri në 400, teksa 240 prej tyre tashmë ishin vaksinuar.

Për të parandaluar shpërthimin e një numri më të madh të izraelitëve të vaksinuar që të sëmuren, Izraeli muajin e kaluar u bë një nga vendet e para që filloi të ofrojë një dozë të tretë Pfizer për njerëzit 60 vjeç e lart – pa asnjë dëshmi klinike se do të ishte efektive.