Zyrtari i PDK-së paralajmëron padi për shpifje ndaj Vetëvendosjes

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi ka paralajmëruar padi për shpifje për anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjoshi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se deklarimet e tyre do të ballafaqohen me të në gjykatë.

“Babën tim e njohin të gjithë Drenica. Që nga vitet 80-ta ka qenë pjesë e lëvizjeve kombëtare dhe më pastaj një nga drejtuesit e UÇK-së që nga dita e parë. Albin K. nuk mund të fshihet pas degëve, të cilat për shpifjet që bëjnë do të ballafaqohemi në gjykatë. Kryetarit të Vetëvendosjes i paska djegur deklarata ime e djeshme dhe menjëherë paska aktivizuar shpifësit”.

“Albin K. nuk mund ta mbrojë UÇK-në me Shkelzen Gashin, Haki Abazin dhe as me Erzen Vraniqin. Në Drenicë janë peshuar me votë edhe baba im edhe dega e Albin K. Vetëm ai është votuar 2-3 herë më shumë se e gjithë partia e tij”, ka shkruar Gjoshi.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, ka thënë dje se Albin Kurti dhe Vetëvendosje janë ata që e duan Gjykatën Speciale.