Zyrtari i VV-së: Krerët e LDK-së e AAK-së po diskutojnë për koalicion parazgjedhor

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas refuzimit të ofertës së Albin Kurtit nga LDK-ja, për lidhjen e koalicionit parazgjedhor.

Sveçla ka thënë se po konfirmohet ajo që ka thënë Vetëvendosje. Derisa ka bërë të ditur se krerët e LDK-së dhe AAK-së po diskutojnë që të shkojnë bashkë në zgjedhje.

“Edhe kësaj here po konfirmohet ajo çfarë Lëvizja në vazhdimësi ka thënë. Pa politikë të qartë në interes e dobi të qytetarit e shoqërisë, rruga përpara mjegullohet e rrjedhimisht lehtë mund ta humbasësh. Siç edhe po na thojnë anëtarë të të dyja subjekteve, LDK-së dhe AAK-së, lidershipi i tyre tash po negocion që të ecin së bashku. Në fakt, do të ngecin së bashku”, ka thënë Sveçla.

Ai ka kujtuar zotimin e LDK-së së nuk do të takohen me subjektet tjera për negociuar koalicionin parazgjedhor.

“Mos të harrojmë që zyrtarët më të lartë të LDK-së u zotuan së bashku me përfaqësuesit e Lëvizjes se as nuk do të takohen me subjekte tjera për të negociuar koalicion parazgjedhor. Dihet kush shkeli fjalën”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Sveçla ka thënë se pavarësisht të gjitha lojërave, qeveria e udhëhequr nga Kurti po vjen, pasi populli po deklarohet.

“Mirëpo pavarësisht të gjitha lojërave të kujdo, #qeveriaKurti po vjen, sepse populli po deklarohet, gjithandej Kosovës dhe në mërgatë”, theksoi ai.