​Komuna e Prishtinës deklarohet rreth kifleve pa afat

Gjatë ditës së djeshme, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka pranuar informatën nga drejtori i shkollës “Dardania, se në këtë shkollë janë evidentuar kifle me afat të skaduar dhe se ato janë tërhequr nga shpërndarja.

Përmes një postimi në Facebook, Komuna e Prishtinës sqaron se Drejtoria e Arsimit e ka kontaktuar operatorin ekonomik “Premium Bakery” për të marrë informata të sakta lidhur me rastin dhe se në përgjigjen e tyre thuhet se gabimi ka qenë i natyrës teknike në ambalazhim, ku është shënuar data e muajit shtator.Operatori ka deklaruar, po ashtu, se ky ambalazhim ka qenë vetëm në një pjesë të sasisë së kifleve që janë dërguar në shkollën “Dardania”.

Drejtoria e Arsimit dhe kompania “Premium Bakery” kanë ndërmarrë të gjitha hapat që gabime të tilla të mos përsëriten. Po ashtu sigurojnë të gjithë që nuk ka vend për shqetësim dhe se rasti i ditës së djeshme, në asnjë moment nuk ka rrezikuar shëndetin e fëmijëve, njofton Komuna e Prishtinës.