194 raste të reja me Covid 19

Për dallim nga ditët e kaluara sot në Kosovë ka rënie të djeshme të të prekurëve me Covid-19. Sot janë regjistruar 194 raste të reja.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 449 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 194 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 7.846 raste nga 35.570 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 196 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 138 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 4.267 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.383.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 81 raste, komuna Podujevë 17 raste, Prizren 14 raste, komuna Fushë Kosovë 13 raste, komuna, Gjakovë 12 raste, komuna Vushtrri 8 raste,
komuna Drenas 7 raste, komuna Mitrovicë 7 raste, komuna Malishevë 5 raste, komuna Obiliq 5 raste, komuna Lipjan 5 raste, komuna Dragash 4 raste, komuna Skenderaj 4 raste,
komuna Ferizaj 3 raste, komuna Gjilan 2 raste, komuna Suharekë 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Istog, Klinë, Pejë, Rahovec dhe Zubin Potok.

Ky është njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

Virusi është kudo! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve!

Virusi vret!

Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Masat e reja të Qeverisë për mbrojtje nga COVID-19 kanë për qëllim zvogëlimin e rasteve të sëmundjeve dhe vdekjeve. Kjo duhet të arrihet me ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.