26 raste të reja me virusin korona, një i vdekur dhe 9 të shëruar, shkon në 285 numri i të infektuarëve nga virusi në RMV

Edhe një pacientë 79 vjeçar nga Dibra ka ndërruar sot jetë në klinikën e Shkupit nga virusi korona. Pacienti është diagnostifikuar pozitiv me virusin korona më 23 mars, ndërsa pasi gjendja e tij është përkeqësuar, më 25 mars është hospitalizuar në klinikën në Shkup, njoftoi Ministria e Shëndetësisë, transmeton Portalb.mk.

Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 26 raste të reja, ndërsa 9 pacientë janë shëruar.

“Sot në klinikën e sëmundjeve infektive në Shkup janë shëruar 9 pacientë (8 nga Dibra dhe 1 nga Shkupi) të cilët në dy teste për virusin korona kanë pasur rezultate negative. Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe ata janë lëshuar në shtëpi. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 26 raste të reja me virusin korona në vend. Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve me COVID 19 sot deri në orën 12:00 ka shkuar në 285 persona”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Po ashtu, nga kjo ministri kanë bërë të ditur se më vonë gjatë ditës së sotme, do të japin edhe të dhënat për numrin e të infektuarve nëpër qytetet e Maqedonisë së Veriut.

Numri i të infektuarëve nga virusi korona deri në orën 12 është 285, 7 persona kanë ndërruar jetë, ndërsa 12 janë shëruar.