6 mijë e 535 raste aktive në Kosovë, pas dhjetë muaj përballje me pandeminë COVID-19

Janë bërë dhjetë muaj që Kosova është duke u përballur me pandeminë COVID-19.

Që nga 13 marsi 2020 kur u paraqit rasti i parë e deri më tani, në vend janë shënuar 53 mijë e 523 raste me coronavirus nga 195 mijë e 475 persona sa janë testuar si të dyshimtë.

Përveç numrit të lartë të rasteve, deri më sot në Kosovë janë shënuar edhe një numër i madh i rasteve të vdekjes nga ky virus.

Deri më sot nga virusi SARS-CoV-2 kanë humbur jetën 1 mijë e 375 persona.

Megjithatë edhe numri i personave që po arrijnë të shërohen nga ky virus është i lartë. Brenda këtyre dhjetë muajve, numri i personave të shëruar ka arritur në 45 mijë e 613, kurse raste aktive mbeten 6 mijë e 535.

Të shtunën në vend u konfirmuan 259 raste të reja, dhe shtatë raste të vdekjes. Komuna me më së shumti raste pozitive në vend vazhdon të mbetet Prishtina.

Për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, Qeveria e Kosovës që nga fillimi i pandemisë ka marrë një sërë masash.

Aktualisht në fuqi janë masat të cilat kufizojnë lëvizjen e qytetarëve dhe punën e lokaleve të gastronomisë, varësisht zonës që gjenden qytetet, sipas numrit të të infektuarve gjatë një jave.

Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, janë në zonën e kuqe, apo të rrezikut të lartë të përhapjes së virusit.

Në zonën e verdhë, atë të rrezikut mesatar për përhapje të virusit, janë Mitrovica e Jugut, Ferizaj, Lipjani, Podujeva. Vushtrria, Parteshi dhe Juniku.

Në zonën e gjelbër, apo të rrezikut të ulët të përhapjes së virusit, janë Gjakova, Kllokoti, Kamenica, Peja, Drenasi, Skenderaj, Istogu, Deçani, Shtëprca, Klina, Shtimja, Novobërda, Vitia, Prizreni, Suhareka, Kaçaniku, Rahoveci, Malisheva, Hani i Elezit, Dragashi, Mamusha, Gjilani, Ranillugu dhe Graçanica. /Fokusi.info/