Sindikalistët kundërshtojnë shkëputjen e kontratës kolektive

Ministria e Shëndetësisë të enjten ka njoftuar se u është shkëputur kontrata kolektive sektoriale punëtorëve të shëndetësisë me arsyetimin se është me afat të skaduar.

Por, këtë njoftim e kanë kundërshtuar sindikalistët, duke thënë se punëtorët do të humbin shumë benifite. Federata Sindikale e Shëndetësisë i siguron punëtorët e saj se shumë shpejt do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi ku parashihen disa nga benifitet aktuale.

Me shkëputjen e kontratës kolektive sektoriale të shëndetësisë, kanë pësuar punëtorët të cilët humbin disa përfitime të saj. Kështu tha kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të QKUK-së, Xhemajl Selmani.

“Ngritja e pagave në kujdestari është bërë sepse nuk kemi pas mundësi të tjera, kur janë rritë pagat i kemi rrit përmes kujdestarive si për infermier si për stafin e lartë shëndetësorë”, ka thënë Selmani.

Pavarësisht se sindikatat nuk ishin të njoftuara për shkëputje të kontratës sektoriale, e njoftuar ishte kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri, e cila thotë se ka marrë premtime se është çështje kohe nënshkrimi i një memorandumi me ministrinë, nga i cili do t’i gëzojnë disa nga benifitet e kësaj kontrate.

“Ne e kemi dërguar një draft me disa pika dhe po presim që javën tjetër zyrtarët tonë ligjorë të fillojnë punën menjëherë. Ka premtim që nuk do të preken kujdestaritë, nuk do të preken pagat jubilare” , ka thënë Imeri.

Imeri tha se kontrata kolektive sektoriale ka qenë pa afat që nga viti 2021 dhe si pasojë nuk ka qenë e vlefshme ligjërisht.

“Kontrata ka qenë e skaduar dhe filluan të mos e njohin në procese gjyqësore, prandaj konsideroj që kjo nuk është e dëmshme për punëtorët”, ka thënë ajo.

Lidhur me shqetësimet e sindikalistëve, gjatë ditës RTK ka tentuar të marrë përgjigje nga zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ndërkaq, të enjten Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është shkëputur kontrata kolektive me arsyetimin se është me afat të skaduar. Gjithashtu, në njoftim thuhet se shumë shpejt do ta njoftojë sindikatën për një kontratë të re ndër-sektoriale.