7 deputetë kanë refuzuar të japin betimin, kjo është arsyeja

Kanë refuzuar ta japin betimin prej deputeti të legjislaturës së shtatë nëntë anëtarë të Qeverisë, përfshirë kryeministrin në largim, Ramush Haradinaj.

Haradinaj është i vetmi nga të nëntit që ka paraqitur dorëheqjen prej ligjvënësi, por në rrugë joligjore, ndërkaq jashtë rregullave është duke u bërë edhe zëvendësimi i ministrave që kanë nisur mandatin prej deputeti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mbështetur në një informatë zyrtare të ofruar nga Kuvendi, lista e deputetëve të zgjedhur që nuk e kanë dhënë betimin në seancën konstituive të mbajtur më 26 dhjetor të vitit të shkuar përbëhet nga: kryeministri Haradinaj, që e drejton Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe ministri Pal Lekaj, që i takon kësaj partie; zëvendëskryeministri i parë që është edhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, i cili e drejton Aleancën Kosova e Re (AKR); zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, që është zëvendëskryetar në Partinë Demokratike (PDK) dhe ministrat e kësaj partie Abelard Tahiri, Kujtim Gashi dhe Uran Ismaili; si dhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, që e drejton Nismën Socialdemokrate (NSD) dhe ministri i kësaj partie Endrit Shala.

E kanë bërë këtë për t’i mbajtur funksionet në Qeveri, meqë Kushtetuta nuk lejon ushtrimin e njëkohshëm të funksioneve edhe në legjislativ e edhe në ekzekutiv.