Infektologu Ahmeti: Kosova së shpejti mund të preket nga varianti indian

Rënia e të të infektuarve me coronavirus në nivel vendi, ka ndikuar që edhe në Klinikën Infektive të bie numri i personave që kërkojnë hospitalizim, por në këtë klinikë pacientët e hospitalizuar me COVID-19 ende janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe shumica kanë nevojë për oksigjeno-terapi.

Infektologu i Klinikës Infektive, Sali Ahmeti ka folur për variantin e ri indian që ka prekur shumë vende të botës. Derisa ka thënë se ditëve të fundit në këtë klinikë gjendja është më e qetë dhe se aktualisht janë të shtrirë 86 pacientë të cilët kanë gjendje të rëndë shëndetësore.

“Gjendja aktuale edhe në nivel vendi por edhe në Klinikën Infektive është më e qetë. Ne kemi numër të rasteve më të vogël që kërkojnë dhe kanë nevojë për hospitalizim. Aktualisht ne në Klinikën Infektive kemi të hospitalizuar 86 pacientë, sidoqoftë numri i rasteve të reja të cilët kërkojnë hospitalizim ka rënë dukshëm në javën e fundit. Në klinikë janë raste mjaft të rënda. Janë pacientë të cilët kryesisht kanë forma të rënda të sëmundjes dhe janë në trajtim e sipër dhe rehabilitim e sipër për shkak të komplikimeve të rënda, që ka shkaktuar sëmundja primare e tyre. Ndërsa, rastet e reja të hospitalizuara janë më të pakta, por gjithsesi ato raste që kërkojnë hospitalizim. Zakonisht janë raste të rënda dhe po thuajse të gjitha kanë nevojë për mbështetjen me oksigjeno-terapi dhe terapi tjetër përcjellëse”, tha Ahmeti.

Ahmeti thotë se varianti britanik që preku në muajt e fundit edhe kosovarët, ka treguar se është virus që përhapet më shpejt, sidomos te mosha 30 deri 50 vjeç.

Sipas tij, gjendja e pacientëve të infektuar me variantin britanik ka qenë e rëndë dhe ka pasuar përkeqësime të shpejta, që kanë kërkuar edhe trajtim intensiv.

“Me variantin britanik, i cili në dy-tre muajt e fundit ka qenë mjaft i pranishëm edhe në mes e pacientëve tanë është një variant i cili ndoshta vlen për ta veçuar prej variantit të mëparshëm ose origjinal, sepse ka prekur mosha më të reja. Ne kemi pasur prekje më të shpejta prej moshave 30 deri në moshën 50 vjeçare. Ka pasur përhapje më të shpeshtë në mesin e personave të kontaktit. Dhe në këto moshat e reja ka shkaktuar forma të rënda të sëmundjes, të cilat kanë pasur përkeqësime të shpejta. Kanë kërkuar kujdes intensive të shpejt në kohën e duhur dhe me tretmanin e duhur, por gjithsesi ky variant nuk ka kursye moshat e shtyra”, u shpreh infekologu i Klinikës Infektive.

Meqenëse tashmë bota është duke u goditur edhe nga një variant i ri i COVID-19, i cili po njihet si varianti indian, infektologu Ahmeti thotë se shumë shpejt edhe Kosova mund të preket me këtë lloj të coronavirusit.

Sipas tij, edhe ky mutacion i ri nuk ka ndonjë problematikë që e dallon prej dy varianteve të mëhershme.

“Në aspektin epidemiologjik sot bota është zvogëluar dukshëm, meqenëse mundësitë e bartës së infeksionit në një botë të zhvilluar dhe me komunikime të shpejta është mundësia e bartjes së infeksionit prej një vendi në tjetrin është shumë e madhe dhe mund të bëhet shumë shpejt. Pra edhe për variantin apo lloj indian ka filluar të prekë vende të ndryshme të Evropës… Kështu që ne nuk mund të eliminojmë rrezikun që ky variant të jetë së shpejti edhe në mesin tonë. Ne nuk kemi përvoja personale me këtë variant. Autorët e tjerë nuk e përshkruajnë si variant që jep ndonjë problematikë të veçantë në raport me variantet e mëparshme. Sidoqoftë edhe ky përhapet shpejt dhe shkakton sëmundje dhe forma të rënda, por që nuk dallojnë nga varianti britanik”, theksoi infektologu Ahmeti.

Tashmë ka një javë që në Kosovë përfundoi shpërndarja e 24 mijë dozave të vaksinës kundër COVID-19, dhe shpejt pritet të vijnë dozat e reja. Prandaj, infekolgu Ahmeti kërkon që ritmi i vaksinimit të jetë më i shpejt sepse arma më e mirë të të luftuar pandeminë është imunizimi i qytetarëve.

Madje, ai thotë se rënia e të të infekturave me COVID-19 në ditët e fundit në vendin tonë nuk duhet të shërbejë si moment relaksimi, pasi që ende jemi në luftë me pandeminë.