Selmanaj: Shqetësuese që pjesë e planit të Serbisë u bë Qeveria e Kosovës me kryeministër Kurtin

Deputeti i LDK’së, Driton Selmanaj ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Republikës së Kosovës, ka qenë projekt disa vjeçarë i politikës fashiste të Serbisë, por sipas tij, ajo çka është shqetësuese është se tanimë pjesë e këtij plani me ose pa vetëdije është bërë edhe qeveria e Kosovës me Kryeministër Kurtin.

Përmes një shkrimi në Facebook, Selmanaj ka thënë se vetëm koordinimi shumë i ngushtë me SHBA-te dhe aleatët perëndimorë mund t’i jep epilog marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Sipas tij, çdo aventurë tjetër do rezultojë me dëme të mëdha për shtetin tonë.

“Qëllimi i këtij projekti është që procesi 10 vjeçar i dialogut të shpallet i dështuar, dhe të gjitha marrëveshjet e arritura të anulohen. Kjo pastaj do nxirrte nevojën për organizimin e një Konference Ndërkombëtarë e cila do vendoste në tavolinë të gjitha opsionet e mundshme dhe me këtë do e legjitimonte narrativen e Serbisë që shteti i Kosovës është projekt i pa përmbyllun.

Kjo do ishte fatale për shtetin tonë. Kjo do vinte në dilemë pakon e Ahtisarit, Aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mbi 100 njohjet si dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me 2010 e cila kishte vulosur ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me konstatimin se “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”.