A do të aprovohet nesër liberalizimi i vizave për Kosovën nga Këshilli i Bashkimit Evropian, publikohet agjenda

Këshilli për Drejtësi dhe për Çështje të Brendshme i Këshillit të BE-së, nesër pritet që të aprovojë liberalizimin e vizave për Kosovën, nën “piken A” që nënkupton se konsensusi brenda të gjitha vendeve anëtare është arritur edhe në nivelin politik.

Kjo është bërë e ditur në agjendën e Këshillit, ku duhet se do të miratohet deklarata e arsyeve të Këshillit të BE-së për çështjen e vizave me Kosovën, arsye këto të aprovuara nga “Coreper” (Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm në Bashkimin Evropian).

“Rregullorja mbi liberalizimin e vizave për Kosovën. Miratimi i qëndrimit të Këshillit në lexim të parë dhe e deklaratës së arsyeve të Këshillit të miratuara nga Coreper, pjesa 2, më 1.3.2023”, thuhet në agjendë.

image 52

Kujtojmë se Bashkimi Evropian e ka shtyrë funksionalizimin e sistemit ETIAS për në vitin 2024, ndonëse ai është paraparë të hyjë në fuqi më 1 nëntor të këtij viti.

Hyrja në fuqi e këtij sistemi është kthyer në temë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, sepse me të është lidhur liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Megjithatë, në vendimin për vizat për Kosovën, është thënë se nëse sistemi ETIAS nuk hyn në fuqi deri në nëntor të këtij viti, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.

Në faqen e ETIAS-it nuk janë dhënë arsye për shtyrjen e këtij vendimi.