A do të ketë koalicion VV-PDK në Gjilan, flasin nga PDK

Kryetari i zgjedhur i Gjilanit, Alban Hyseni nuk e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës në Gjilan.

Madje, mediet sot raportuan se sot është zhvilluar një takim mes Hysenit dhe kandidates së PDK-së për kryetare të kësaj komune, Leonora Morina- Bunjaku.

Por, kjo e fundit e ka demantuar këtë lajm, duke thënë se as nuk ka pasur ftesë dhe rrjedhimisht nuk ka pas kurrfarë takimi me Hysenin.

Morina- Bunjaku po ashtu ka thënë se nuk kanë pasur as gjatë balotazhit kurrfarë bashkëpunimi me VV-në.

“Si PDK nuk kemi pas marrëveshje dhe kjo është e vërteta. Qytetarët kanë qenë të lirë të vendosin se si do të votojnë, por ne nuk i kemi orientuar”, ka thënë ajo për Indeksonline.

Në anën tjetër, Izmi Zeka nga dega e PDK-së në Gjilan, ka thënë se si degë duhet të qëndroj në opozitë dhe se nuk kanë nevoje si parti të bëhen argat të atyre që dje thanë shko Hashim.

“Është e rëndësishme që brenda strukturës së saj të ketë një refresh duke i afruar potencialet e gjithë qytetit me vizion për zhvillimin dhe prosperimit të qytetit.

PDK në Gjilan duhet të qëndroj në Opozitë për shumë arsye që sot nuk do i përmendi. Prandaj pa hyrë shumë në elaborim është e shëndetshme për PDK-në edhe pse gjatë në Opozitë të rri dhe të vlerësoj për gabimet e bëra gjatë këtyre viteve në raport me konkurrencën që ishte dhe është në Gjilan”, ka shkruar ndër të tjera ai.