A do të ketë sot takim me LDK-në? Flet nënkryetarja e VV-së

Lëvizja Vetëvendosje (VV) gjatë ditës së sotme pritet të ketë takim me Grupin Parlamentar të VV-së.

Takimi pritet të jetë me agjendë të zakonshme, ku grupi mblidhet një ditë para seancës konstituive e cila është e caktuar për ditën e nesërme.

Nënkryetarja e VV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, për GazetaBlic ka konfirmuar se një takim i tillë do të mbahet gjatë ditës së sotme.

Por, nuk e kanë caktuar ende orën për këtë, pasi që në agjendë së pari kanë disa aktivitete të tjera.

“Deri tani nuk kam ndonjë informacion që mund të ju jap, por në fakt do duhej me u taku Grupi Parlamentar, por nuk ka të caktuar ende kohën”, tha Mulhaxha-Kollçaku.

Ajo tha se takimi është agjendë e zakonshme, mirëpo pjesë e diskutimit në takim pritet të jenë edhe çështjet e fundit që lidhen me koalicionin me LDK-në, mirëpo një takim me këta të fundit ende nuk kanë caktuar.

“Çdo takim ka vazhdën e ngjarjeve që na presin, është procedurë normale pasi që për nesër e kemi seancën dhe duhet të ketë një takim me Grupin Parlamentar. Ndërsa me LDK-në ende nuk kemi caktuar ndonjë takim, nuk e kam një informacion të tillë se a do të ketë sot”, shtoi ajo.