A do t’i ndihmojë LDK Albin Kurtit për t’u ballafaquar të hënën me Thaçin

Pa numrat që i duhen për të krijuar qeverinë, e që mund t’i sigurojë nëse arrin marrëveshje me Isa Mustafën, Albin Kurti, lideri i LV-së do të shkojë të hënën për të diskutuar për mandatarin te i pari i shtetit, Hashim Thaçi.

Me këtë të fundit, rrugën për te dakordimi se kur do të shihen, nuk e patën të lehtë.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës i ka vështirësuar në masë të madhe diskutimet në mes të Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Asnjë zyrtar i LDK-së, nuk e kishte idenë me 26 dhjetor, ani pse Isa Mustafa dha premtimin se do t’i japin votat nëse LV do të shkonte në seancë me propozim për kryetarin e nënkryetarin e parë, se Glauk Konjufca do të ishte emri i zgjedhur i Kurtit.

Kjo pasi kreu i Kuvendit, sipas marrëveshjes paraprake Mustafa – Kurti i takonte LDK-së.

Megjithatë, në Vetëvendosje, ani pse tani kanë krye parlamentarin, e nënkryetarin e parë, kanë thënë se do të vazhdojnë përpjekjet për t’u dakorduar për koalicion.

Sot gjatë ditës nga zyra për media e partisë së udhëhequr nga Albin Kurti kanë deklaruar për Gazetën Express se në ditët në vijim do të ketë përpjekje të reja për tu marrë vesh.

Nga Vetëvendosje thonë se tashmë kryesia e Kuvendit është zgjedhur, e se duhet të gjendet marrëveshje për konsolidim të ekzekutivit sa më parë.

“Pavarësisht që ne nuk arritëm të dakordoheshim me LDK për koalicionin qeverisës para seancës konstituive të Kuvendit ne sërish ditëve në vijim do të përpiqemi me konstruktivitet të arrijmë një marrëveshje dhe qeveria e re me program të harmonizuar mes dy subjekteve tona të fillojë punën sa më parë.

Kuvendi ka zgjedhur kryesinë e saj me në krye me deputetin Konjufca, ndërkaq tash presim që edhe ekzekutivi të konsolidohet sa më parë”, tha në LV-ja.

LV-së dhe LDK do të ju mbeten vetëm edhe 15 ditë kohë, pas të hënës për të finalizuar nëse shkojnë bashkë në qeveri, apo ju hapin rrugë zgjedhjeve të reja.

Kjo pasi që në ora 15:00, pas disa përpjekjeve të dështuara për t’u parë është caktuar takimi në mes të Albin Kurtit e Hashim Thaçit, ku do të vendoset për mandatarin.

Ky i fundit i ka përcjellë tri ftesa liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, e të gjitha këto ju kanë kthyer negativisht, derisa, në fund, Kurti vendosi që të shihet me Thaçin me gjashtë janar. Presidenti në anën tjetër ishte ai që vendosi për në orën 15:00.

Kur kanë mbetur vetëm edhe katër ditë deri te takimi i dy personave që njihen mjaft mirë për raportet e acaruara ndër vite, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka dhënë shenjat e para se diçka mund të ketë lëvizur në aspekt me marrëveshjen me Kurtin.

Mustafa për të hënën, në të njëjtën ditë kur shihen Kurti e Thaçi mbledh herët në mëngjes, fillimisht kryesinë e partisë, e pastaj disa orë më vonë, edhe deputetët.

Të dy takimet ndodhin para atij të orës 15:00 që mbahet në presidencë. Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi që sot gjatë ditës nisën për media nga LDK-ja.

Temë kyçe e diskutimit është një marrëveshje e re me LV-në, duke e ditur se pas zgjedhjes së Konjufcës në krye të Kuvendit, ndryshuan hesapet për ndarje të pazarit.

Rrjedhimisht, Mustafa do të ju kumtojë qëndrimin e ri në këtë aspekt, pak para se Kurti të dëshmojë para presidentit se ka numrat për të formuar qeverinë.

Zhvillimet pozitive në drejtim të arritjes së marrëveshjes LV – LDK, vijnë pas presionit të shtuar nga ndërkombëtarët, që në vazhdimësi kanë përsëritur thirrjet për krijim sa më të shpejtë të institucioneve të reja.

Një ditë para festës së vitit të ri, këtë mesazh u përkujdes që ta përcillte në dy takime që i mbajti ndaras me figurat më të rëndësishme nga të dy partitë, edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Ai ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë sa më shpejtë marrëveshjen.

Janë bërë disa muaj që prej kur Kurti dhe Mustafa nuk po mund që të dakordohen për krijimin e qeverisë së bashku, pasi që bisedimet kanë ngecur te kushti për presidentin, që u vendos në tavolinë nga Lidhja Demokratike./GazetaExpress/