A i ra pishman apo ndikoi presioni? Vjosa Osmani vendos t’ia vazhdojë kontratën William Walkerit

Ushtruesja e detyrës së Presidentës së Kosovës, Vjosa Osmani si duket është penduar për shkëputjen e kontratës me ambasadorin William Walker i cili ishte i angazhuar si këshillues i Zyrës së Presidentit të Kosovës.

Kjo pasi nëpërmjet një komunikate për media të lëshuar nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës ku thuhet se pas një bashkëbisedimi, Osmani dhe Walker janë pajtuar për vazhdimin e bashkëpunimit, shkruan lajmi.net.

“Z. Walker ka qenë një mik i devotshëm i popullit të Kosovës gjatë ditëve tona më të errëta dhe do të mbetet i tillë edhe tash e tutje.”, thuhet në komunikatë.

Më tutje, thuhet se të dyja palët presin të punojnë së bashku për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare dhe më shumë njohuri për Kosovën ndërkombëtarisht si dhe gjithashtu avancimin e sundimit të ligjit.

“U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Ambasadori William Walker biseduan personalisht për të rikonfirmuar angazhimin e tyre të përbashkët për vazhdimin e bashkëpunimit. Z. Walker ka qenë një mik i devotshëm i popullit të Kosovës gjatë ditëve tona më të errëta dhe do të mbetet i tillë edhe tash e tutje. U.d. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Walker ranë dakord të kultivojnë bashkëpunimin e ngushtë me njëri tjetrin. Siç është cekur në komunikimin me shkrim të realizuar në muajin nëntor, të dyja palët presin të punojnë së bashku për të siguruar njohje të reja ndërkombëtare dhe më shumë njohuri për Kosoven si dhe për të avancuar sundimin e ligjit në vend.”, thuhet në komunikatën e shkurtë të ZPRK-së.

Gjatë ditës së djeshme është raportuar në media se Vjosa Osmani ia ka shkëputur kontratën ambasadorit Walker me Zyrën e Presidentit, gjë të cilën e kishte potencuar edhe vet, por e kishte mohuar pastaj.

Ajo nëpërmjet një reagimi në Facebook i ka akuzuar mediet për shpifje pasi kanë raportuar për deklaratat e saj ku thotë se kontrata e Walker ka skaduar dhe nuk është vazhduar, derisa në mbrëmje tha se ajo do të skadojë në fund të muajit, gjegjësisht në fund të këtij viti.

Por, si duket pas raportimeve të djeshme, Osmani ka vendosur që përsëri të vazhdojë bashkëpunimin me Walker, së paku sipas komunikatës së lëshuar para pak minutash.