Abdixhiku me bashkëpartiakë e nderojnë ish-presidentin Rugova në 33-vjetorin e themelimit të LDK-së

Me rastin e 33-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë të tjerë partiakë kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Abdixhiku me këtë rast tha se LDK-ja mbetet partia më e vjetër shqiptare në rajon. Rugovën ai e quajti prijës të shqiptarëve, duke shtuar se kjo parti do të vazhdojë rrugën e nisur 33 vjet më parë.

“Sot së bashku me bashkëpunëtorët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nisëm shënimin e 33 vjetorin e themelimit partisë shqiptare më të vjetër jo vetëm në Kosovë por edhe në të gjithë rajonin të Lidhjes Demokratike të Kosovës, formacionit të parë pavarësisë e demokratikë në mes shqiptarëve”.

“Nisëm këtë ditë për të nderura presidentin historik të Republikës së Kosovës Ibrahim Rugovën, prijësin e shqiptarëve dhe në periudhën më të vështirë për popullin tonë njëkohësisht edhe themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

“Shënojmë 33-vjetorin e vitit 1989 kur burrat e gratë më të mirë të vendit, në kohën më të vështirë të vendit u rreshtuan prapa Rugovës dhe ndërtuan kështu programin politik shqiptar të fund shekullit 20-të lëvizjen për liri dhe pavarësi dhe demokraci”.

Për nder të këtij përvjetori Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës hap ekspozitën “33 vite LDK” si dhe mbahet një festë solemne.