Abdixhiku: Nëse është një politikan në Kosovë, që i ka mbajtur sindikatat afër për qëllime politike është Albin Kurti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, foli për “lidhjen e famshme” që sindikatat mund të kenë me parti të caktuar politike.

Ai tha se nëse është ndonjë politikan në Kosovë që i ka mbajtur sindikatat “afër vetes për qëllim politike” është Albin Kurti.

Ai tha se Kurti e talli Jasharajn se i tha vëlla, ndërsa shtoi se Jasharaj i tha vëlla “se nuk mund t’i flasë si kryeministër”.

“Do t’i thyej mësimdhënësit dhe fillimisht i lëshon në ofendime të llojllojshme individuale e pastaj i tallë edhe në parlament, një njeri të moshuar në prag të pensionit, me të cilin ka mbajtur tryeza sa ka qenë në opozitë javë më javë. Nëse është një politikan në Kosovë, që i ka mbajtur sindikatat afër për qëllime politike është Albin Kurti. E talli një njeri pak para pensionit, që për vete nuk kërkon asgjë, por flet në emër të mësimdhënësve, pse më ka thënë vëlla. Të thotë vëlla se s’po mund të flet si kryeministër”, tha Abdixhiku.

“I ftoj institucionet tona që të ulen e të bëjnë zgjidhje, arsyetimet për ngarkesë financiare nuk ekzistojnë, ju e dini të dashur deputetë”, tha ai.

“nuk janë palë politike mësimdhënësit, janë njerëzit tanë të Kosovës, familje tona, gjysma e votuesve tuaj”, deklaroi Abdixhiku.