Absurde: Prokuroria e Speciales synon që krerët e UÇK-së të gjykohen gjashtëfish më gjatë se bashkëpunëtorët e Millosheviqit

Prokuroria e Speciales po tenton që ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët nuk akuzohen për kryerjen e drejtpërdrejtë të krimeve, t’i vërë para një gjyqi shumëfish më të gjatë sesa të ish bashkëpunëtorëve të Millosheviqit që janë akuzuar dhe dënuar për kryerjen e mijëra vrasjeve e qindra masakrave.

Një kërkesë absurde e Zyrës së Prokurorit të Specializuar po qëndron aktualisht në sirtarët e Gjykatësit të Procedurës Paraprake, me të cilën po tentohet që procesi gjyqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të zgjasë mbi 11 vjet, duke tejkaluar kështu shumëfish kohëzgjatjen e procesit gjyqësor të ish bashkëpunëtorëve të Sllobodan Millosheviqit.

Hiç më pak se 1 mijë e 863 orë janë kërkuar nga ZPS që ta paraqesë çështjen e saj kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët nuk akuzohen për kryerjen e drejtpërdrejtë të krimeve, por akuzohen për shkak të përgjegjësisë në hierarkinë e UÇK-së, ndërkohë që udhëheqës të shtetit serb ishin akuzuar dhe dënuar për kryerjen e mijëra vrasjeve dhe qindra masakrave në atë që ishte konsideruar si gjenocid, shkruan lajmi.net.

Nikolla Shainoviq, në rastin e Milan Milutinoviq dhe të tjerëve, në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Kryera në Ish-Jugosllavi, Prokuroria kishte shpenzuar 166 orë, që i bie diku rreth 10-11 muaj për gjykim.

Shainoviq, një bashkëpunëtor i spikatur i Millosheviqit, i akuzuar për krime kundër njerëzimit ndaj popullsisë në Kosovë, ishte dënuar me 22 vjet burg. Ai njihej si njëri prej personave që përcillte dhe zbatonte urdhrat e Millosheviqit, përmes së cilave ishin kryer krime të tmerrshme në territorin e Kosovës.

Prokuroria kishte marrë shumë më pak kohë edhe për paraqitjen e çështjes ndaj kroatit Jadranko Prliq, i cili nga drejtësia ndërkombëtare ishte akuzuar për krime të kryera ndaj popullsisë boshnjake gjatë kohës që ai kishte kontroll të plotë mbi Qeverinë kroate të Bosnjë Hercegovinës. Për të, Prokuroria kishte shpenzuar vetëm 296 orë, ose 1 vit e 10 muaj kohë.

Ndaj Prliq rëndonin nëntë akuza për shkelje të rëndë të Konventave të Gjenevës, nëntë akuza për shkelje të ligjeve të luftës, si dhe tetë akuza për krime kundër njerëzimit. Pra, gjithsej 27 akuza. Ai është dënuar më 25 vjet burg.

Në një situatë të paprecedent, pa ndonjë argumentim të qartë në Gjykatë ose parashtresa, Prokuroria e Speciales po kërkon që ndaj krerëve të UÇK-së të përdorë më shumë se 6-fishin e kohës së përdorur në rastet e të akuzuarve serbë për krimet e kryera në tri luftërat e Ballkanit, në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci, të njohur për rolin e tyre aktiv në kryerjen e gjenocidit.

Shqetësimin e tij për këtë çështje tashmë e ka ngritur avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.

“Mbrojtja paraqet shqetësimin e saj dhe tërheq vëmendjen e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake për kohëzgjatjen e parashikuar të gjykimit. ZPS ka treguar në Rregullën e saj 95(4)(b) Lista e dëshmitarëve se kërkon gjithsej 1.863 orë për të paraqitur rastin e saj. Për ta vendosur këtë kërkesë në perspektivë, Mbrojtja ka nxjerrë dy shembuj nga raste të ngjashme me shumë të akuzuar në ICTY: Në rastin Prliq dhe të tjerët. Prokuroria ka shfrytëzuar gjithsej 296 orë për të paraqitur rastin e saj, përafërsisht 1 vit e 9 muaj; në rastin Shainoviq dhe të tjerët. (Milutinoviq), Prokuroria ka shfrytëzuar gjithsej 166 orë, përafërsisht 10 muaj”, ka shkruar Emmerson.

Ai, po ashtu, i ka kërkuar Gjykatës që ta marrë parasysh “alarmin” e Mbrojtjes për veprimet e pashpjegueshme të Prokurorisë – e cila, deri më tash, përveç se ka zvarritur procesin, tani po tenton edhe ta stërzgjasë atë, duke kërkuar mbi 11 vjet kohë për gjykim.

“Mbrojtja pohon se një gjykim i tillë i zgjatur në asnjë mënyrë nuk do t’i shërbejë interesit të drejtësisë për asnjërën nga palët, ose për këtë Gjykatë”, ka thënë Emmerson në shkresën e tij.