Afati kushtetues për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit

Kushtetuta precizon se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga shpallja e rezultateve

Afatet për thirrjen e seancës konstituive tashmë kanë filluar që nga data e certifikimit të rezultati zgjedhor.

Madje kjo gjë është precizuar edhe në Kushtetutë.

“Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, Kushtetuta e Kosovës – Neni 66.

KQZ ka ratifikuar rezultatet me datën 27 nëntor.

Kjo seancë konstituive, udhëhiqet nga deputeti me i vjetër dhe asistohet nga deputeti apo deputetja me e re e legjislaturës së ardhshme.

Këtë herë, kjo seancë pritet të udhëhiqet nga Jahja Koka 71 vjecar dhe Fjolla Ujkani 22 vjecare, të dy këta nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkaq, pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit dhe betimit formal të deputeteve, radha i vije votimit të qeverisë se re.

“Pikë se pari duhet të ketë një të mandatuar nga ana presidentit, i cili pastaj e paraqet para deputeteve edhe propozimin e kabinetit qeveritar, dhe kësisoj votohet nga ana e deputetëve. Ndërsa, nëse dështon votimi në herën e pare, presidenti i vendit mund ta mandatojë këdo qe konsiderohet që e ka shumicën parlamentare”, thotë Artan Murati, analist politik.

Sipas dispozitave kushtetuese, nëse votimi dështon edhe në herën e dytë, brenda 45 ditëve vendi do të shkojë në zgjedhjet e reja.