Afera Berishaj, Tahiri: Nëse jo dorëheqja, shkarkimi i tij është domosdoshmëri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka thënë se Martin Berishaj nuk është rastësisht ambasador i Kosovës dhe sipas tij, as thjeshtë “një ambasador i Kosovës”.

Tahiri në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se përkundër vullnetit e gatishmërisë për t’i shkuar deri në fund, në Komisionin Hetimor Parlamentar nuk kishim as mandat e as instrumente për të dëshmuar strukturën e thellë mafioze e lidhjet para politike që lidhen me “Aferën Berishaj”.

“Përkundër vullnetit e gatishmërisë për t’i shkuar deri në fund, në Komisionin Hetimor Parlamentar nuk kishim as mandat e as instrumente për të dëshmuar strukturën e thellë mafioze e lidhjet para politike dhe implikimet që lidhen me “Aferën Berishaj”, por e njëjta, tash figuron se është duke u hetuar penalisht në disa vende. Çdo ditë e më shumë që z. Martin Berishaj qëndron në postin e një zyrtari të lartë të shtetit, si ambasador i Kosovës në Kroaci, është implikim i vetëdijshëm i pushtetit dhe shtetit në këtë aferë. Dorëheqja e tij, nuk është më çështje etike. Nëse jo dorëheqja, shkarkimi i tij është domosdoshmëri, për t’i hapur rrugë zbardhjes së të vërtetës rreth kësaj afere”, ka shkruar Tahiri.