OVL: Institucionet dhe qytetarët, të mos e përdorin flamurin e UÇK-së për interesa politike

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar nga partitë politike që për hirë të çështjes së përgjithshme të kenë unitet politik, shkruan Fokusi.info.

Përmes një komunikate për medie, ata kanë kërkuar edhe nga institucionet dhe qytetarët që flamuri i UÇK-së të mos përdoret për interesa politike.

Komunikata e plotë:

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka përcjellur zhvillimet politike në Kosovë dhe ka kërkuar nga partitë që për hirë të çështjes së përgjithshme të kenë unitet politik, sepse kjo po shkakton edhe përçarjen në popull e që për ne është e papranueshme.

Kohëve të fundit, jemi duke parë vendosjen dhe heqjen e flamurit të UÇK-së në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, prandaj e ndjejmë si obligim që për këtë çështje të japim qëndrimin tonë:

Flamuri i luftës së UÇK-së vendin e ka në Organizatën e Veteranëve dhe Shoqatat e dalura nga lufta e UÇK-së, në memorialet, komplekset, lapidarët e dëshmorëve, akademitë dhe muzetë e luftës, por edhe mund të përdoret nga qytetarët në shenjë respekti për luftën.

Institucionet e shtetit të Kosovës kanë për obligim ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të luftës dhe kjo bëhet me anë të miratimit dhe zbatimit të ligjeve, dhe i bëjmë thirrje institucioneve dhe qytetarëve që flamurin e UÇK-së të mos e përdorin për interesa politike.

Prishtinë,                                                                              Kryesia e OVL UÇK-së          05.06.2020                                                                            Kryetari Hysni Gucati