Ahmeti: Japin dorëheqje të gjithë ministrat e BDI-së nëse opozita voton ndryshimet kushtetuese

Kryetarit i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i është drejtuar kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e BDI-së japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar.

Ahmeti ka potencuar se arsyet deri te kjo lëvizje ëshë kushtëzimi i opozitës se do t’i votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria.

Ai i ka thënë Kovaçevskit, se dorëheqjet materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese.

“I nderuar Kryeministër, Dimitar Kovaçevski, duke vlerësuar se vendi ynë, Republika e Maqedonisë së Veriut, gjendet në një fazë kritike të së ardhmes sonë evropiane,duke patur peshën e integrimit si organizatë politike në 20 vitet e fundit, duke vlerësuar se vendimet e mëdha kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore nga secili prej nesh, duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do ti votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria, duke qenë të zgjedhur legjitim nga vullneti i votuesit shqiptar”, shkroi Ahmeti në rrjetin social Facebook.

“Duke qenë të vetëdijshëm për shpresat dhe ëndrrën e njerëzve për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane,duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian,si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare”.

“Ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japin dorëheqje nga postet që aktualisht janë duke i ushtruar! Dorëheqjet, z. Kryeministër, materializohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”.