Akademi Përkujtimore për Enver Topallin, nderohet me urdhrin “Hero i Kosovës”

Presidenti Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në Akademinë Përkujtimore për heroin Enver Topalli.

Ai ka thënë se heroin Enver Topallin e kanë frymëzuar dy personalitete shumë të rëndësishme – veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi dhe Rexhep Mala, i burgosur politik.

“Enver Topalli e filloi veprimtarinë e tij edhe gjatë viteve të 90-ta me Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Atij nuk ia zbehën energjinë për të vepruar për atdheun as shumë tortura që i përjetoi”.

“Enver Topalli e vazhdoi veprimtarinë e tij për atdheun edhe në luftën e UÇK-së deri sa u vra me duar të lidhura në burgun e Dubravës, njëra nga masakrat më të mëdha”.

I pari i vendit ka folur edhe për Rezolutën për Gjenocidin Serb që Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të premten, njofton Klan Kosova,

“Nxerrja e një rezolute të gjenocidit është vepra më e mirë që e kanë bërë institucionet tona kundër atyre që i mohojnë krimet në Kosovë”.

Thaçi e ka nderuar Enver Topallin me urdhrin “Hero i Kosovës”, dekoratë e cila u pranua nga familjarët e heroit.

Për dëshmorin Enver Topalli, para të pranishmëve foli edhe djali i tij Ilir Topalli.

“Ne babin tonë më parë e njohëm vetëm si prind, ndërsa ju e njohët edhe më shumë si veprimtar të paepur të çështjes kombëtare”.

Edhe Ramë Buja e ka vlerësuar shumë lart figurën e Enver Topallit.

“Ai njeri tërë jetën e tij e pati në shërbim të atdheut. Enver Topalli – që sot po e përkujtojmë në 20 vjetorin e rënies së tij – ishte një njeri i cili dha kontributin më të madh për lirinë që emri i tij të gdhendet në vulën e lirisë”.

“Inteligjenca e Enverit ishte e veçantë. Ai kishte interesim të jashtëzakonshëm për historinë dhe shkenca të tjera për marrëdhëniet ndërkombëtare, madje edhe për astronominë”.